Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e thirrur nga kryetari demokrat, Lulzim Basha, për caktimin e një datë të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, ku do të shqyrtohen propozimet për ndryshime statutore.
Në këtë mbledhje të parë të kryesisë së PD për vitin 2018, Basha është shprehur se ndryshimet në statut janë detyrë e Kuvendit Kombëtar i cili pritet të mblidhet gjatë kësaj pranvere.
“Pikëpamjet e mia ju i dini. Çdokush që ka dëshirë të kontribuojë të ketë hapësirën totale të kontribuojë në proces. Të papenguar nga asnjë pengesë të asnjë forme, qoftë edhe statutore. Të paraqitet për vendimmarrje çdo kontribut për fuqizimin e PD. Të caktojë kohë të mjaftueshme që propozimet të shqyrtohen.
Të ngrihet një grup proaktiv që për një periudhë dyjavore të mundësojë kontakt direkt me ata që dëshirojnë të kontribuojë. T’i shqyrtojnë propozimet bashkë me sekretariatin ligjor dhe të kemi një vendimmarrje.
Ky grup pune të përbëhet nga nënkryetarët Edi Paloka, Edmond Spaho, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, Sekretarët Enno Bozdo, Fatbardh Kadilli si dhe anëtarët e kryesisë Gent Malko e Arben Imami”, ka thënë Basha.
Në këtë mbledhje të kryesisë së PD, ka marrë pjesë edhe kritiku Arben Imami.Arben Imami, ish-deputet, ka refuzuar propozimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të qenë pjesë e grupit të punës që do të mbledhë kontributet dhe propozimet që do i shërbenin fuqizimit të kësaj partie.
Burime nga PD, bëjnë të ditur se Imami gjatë mbledhjes së Kryesisë ka thënë se nuk ishte për grupe pune dhe ka kërkuar caktimin e një tjetër emri në vend të tij.
Mbledhja e Kryesisë së PD-së ka nisur në orën 17:00, ndërsa ajo është thirrur nga kreu demokrat Lulzim Basha në përfundim të analizës që është bërë në të gjitha degët, për t’i hapur rrugë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
Të pranishëm në mbledhje janë edhe kritikët e kryetarit Basha, Endira Bushati, Arben Imami e Sherefedin Shehu.
Në fillim të mbledhjes, Kreu demokrat, Lulzim Basha është shprehur se çdokush që ka dëshirë të kontribuojë do të ketë hapësirën totale në këtë proçes.
Basha është shprehur se nuk do të ketë asnjë pengesë të asnje forme, qoftë edhe statuore në këtë drejtim.
Kreu demokrat në vijim ka kërkuar paraqitjen për vendimarrje të çdo propozimi që i shërben dhe kontribuon për fuqizimin e PD-së, sikundër do të ketë një kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e propozimeve.
Mësohet se Basha ka propozuar ngritjen e një grupi proaktiv, që për një periudhe dyjavore të mundësoje kontakte direkte me ata që dëshirojnë të kontribuojnë.