Kryesia e PS, Peleshi: Kemi qasje strategjike me koalicionin Veliaj: Në PS s’ka zëra kundër LSI-së Fokus zgjedhjet, jo tensionet me LSI

Partia Socialiste mblodhi pasditen e kësaj të marte kryesinë e saj, forumin më të lartë vendimmarrëse për çështjet politike. Pas mbledhjes së kryesisë, zv/kryeministri Niko Peleshi tha se u diskutua për zgjedhjet e 18 qershorit. Ai iu referua edhe debatit brenda koalicionit, duke shtuar se partitë aleate mund të kenë taktika elektorale, por ajo që synon PS është aleanca strategjike. “Ne kemi vetëm një qasje me koalicionin, atë strategjike. Parti në koalicion mund të kenë qasje taktike elektorale. Nëse qasja taktike s’prek qasjen tonë strategjike, s’ka probleme”, u shpreh Peleshi. Ai tha se PS shkon në zgjedhjet e 18 qershorit me synimin për marrjen e një mandati të dytë qeverisës. “Kemi një program shumë ambicioze, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë, duke u përgatitur për mandatin e dytë. Krahas punës për hartimin e programit të mandatit të dytë. Le ta dëgjojë edhe komuniteti, populli por edhe partitë aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin me ritmin e reformave, pa taktika, nuk do të ndryshojë. Partitë në koalicion mund të kenë taktika elektorale”, tha Peleshi. Sa i takon shkarkimit të Ylli Manjanit, Peleshi tha se deklarata e tij shpaguan arsyet se pse ai vendim që u mor ishte i drejtë. Veliaj: PS ka ndezur motorët, s’jemi kundër koalicionit me LSI Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në cilësinë e anëtarit të kryesisë së PS, u shpreh se selia rozë ka ndezur motorët e fushatës së 18 qershorit. Veliaj tha se PS do arrijë të fitojë zgjedhjet parlamentare, ndërsa referuar debateve të fundit brenda koalicionit, shtoi se qytetarët duan të shohin punë dhe jo telenovela. “PS ka ndezur motorët për fitoren e 18 qershorit. Puna jo vetëm në tiranë, por në gjitha bashkitë, do të garantojë këtë fitore. Ka nevojë gjithmonë për telenovelë, por një parti e matur është e fokusuar të gjërat e rëndësishme, janë ato që vënë ushqim në tryezën e çdo shqiptari. Qytetarët që votojnë presin ta shohin qeverinë në punë, presin t’i shohin kryetarët e bashkive në punë. Bashkimi e bën fuqinë, jemi më të bashkuar se kurrë. Jemi të vendosur për të pasur një fitore edhe më të thellë këtë vit. Edhe bashkitë do të kenë rol dhe fati i punëve të nisura ka të bëjë me suksesin e kësaj qeverie. Unë investohem në këtë ekip, si anëtar i këtij ekipi”, tha Veliaj. I pyetur për shkarkimin e ish-ministri të Drejtësisë, Ylli Manjani, Veliaj tha se skuadrën e bën kapiteni, në këtë rast kryeministri Edi Rama. “Në një qeveri dhe në një skuadër ku unë kam bërë pjesë, në atë të Edi Ramës, është drejtimi i kapitenit ai që i jep vizionin qeverisë, mbledh skuadrën dhe vendos kush rri e kush ikën. Në një moment u vendos që unë të lija skuadrën dhe të krijoja një skuadër dhe një ekip të ri”, u shpreh Veliaj. Sa i takon koalicionit me LSI, Veliaj theksoi se marrëveshja e PS me këtë forcë politike është përtej një mandati. Sipas tij, në PS nuk ka zëra kundër koalicionit me LSI. “Aleanca që kemi me LSI është një projekt strategjik. Besoj si dikush që është investuar tek e majta që ky është një prioritet përtej një mandati, bashkimi i të majtës përtej datave elektorale. Në PS nuk ka zëra kundër koalicionit me LSI”, u shpreh Veliaj. PS mbledh Kryesinë, diskutohet për zgjedhjet Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e kësaj të marte kryesinë, forumin më të lartë vendimmarrëse për çështjet politike. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe kryetari i PS, njëherazi kryeministri Edi Rama. Mbledhja ka qenë e programuar kohë më parë. Kryesia e PS mblidhet çdo ditë të martë, njëherë në muaj. Kjo mbledhje përkon me zhvillimet brenda koalicionit pas tensioneve me LSI-në, por burime brenda kryesisë bëjnë të ditur se temë e diskutimit nuk do të jetë kjo çështje. Në fokus të takimit janë zgjedhjet e 18 qershorit dhe përgatitja e strukturave të PS. Një ditë më parë PS mblodhi grupin parlamentar dhe koordinatorët e 12 qarqeve ku u diskutua për organizimin e selisë rozë. Mësohet se Rama u ka kërkuar 12 koordinatorëve të ruajnë rezultatin e vitit 2013 ndryshe do të mbanin përgjegjësi, teksa ka kërkuar po ashtu, që rezultati të rritet. “Kjo fushatë zgjedhore dhe këto zgjedhje nuk do të jenë aspak të lehta”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Artikulli paraprakARRESTOHEN 3 ZYRTARË DHE NJË OFICER POLICIE
Artikulli tjetërPËRMBYSET MAKINA,3 SHQIPTARË I SHPËTOJNË MREKULLISHT AKSIDENTIT TË FRIKSHËM