Kryesuesja e OSBE-së Ann Linde ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe Enkelejd Alibeaj.
Siç njofton zyra e shtypit në takim është diskutuar për rrugëtim evropian të Shqipërisë, ndërsa kryesuesja e OSBE-së shprehu vendosmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me Shqipërinë për avancimin e tre prioriteteve të Organizatës: siguria, demokracia e sundimi i ligjit dhe barazia gjinore.
“Është e rëndësishme që opozita është në Kuvend dhe të gjitha palët shprehin perspektivën dhe qëndrimet e tyre, nëpërmjet dialogut politik dhe respektimit të qëndrimeve e vlerësimeve të ndryshme”, tha Ann Linde.
Nikolla falenderoi Ann Linde për mbështetjen që Suedia i dha Kryesisë shqiptare të OSBE-së si edhe vetë Organizatës, si edhe vlerësoi punën e Kryesisë Suedeze në kryesimin e OSBE-së vitit 2021, nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, për një Europë më të qëndrueshme e të sigurt.
“Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë Kuvendi, do të vazhdojnë bashkëpunimin e suksesshëm me OSBE-në për avancimin dhe thellimin e reformave, përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve, konsolidimin e institucioneve demokratike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, promovimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e shoqërisë civile. Me opozitën në Kuvend, si një aset i demokracisë dhe i parlamentit, do të thellojmë bashkëpunimin duke zgjeruar aksesin e saj për të kontribuar në avancimin e reformave”, tha Lindita Nikolla.
Në takim e morën fjalën edhe Alibeaj dhe Felaj, të cilët shprehen qëndrimet e tyre të ndryshme mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.