Kisha katolike në Shkodër në festën e shenjtë të Krishtlindjes priti vizitat e autoriteteve vendore. Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia, i shoqëruar nga përfaqësues të PD uroi arqipeshkëvin Massafra dhe gjithe besimtarët e krishterë në festën e Krishtlindjes duke theksuar se shkodranët dhe shqiptarët do të dinë të kthehen tek vlerat e vërteta ndërsa një urim përcolli edhe kreu i PD Gjenerin Kapcari…
Një urim bëri edhe kryetari i PD Shkodër Xhevdet Amuli. Ndërkohë pjesa tjetër e autoriteteve dhe përfaqësuesve politik të Shkodrës nga radhët e PS munguan në vizitat e zakonshme të kësaj feste bashkë me përfaqësues të klerit të besimeve të tjera. Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari uroi përmes rrjeteve sociale festën e shenjtë të Krishtlindjes teksa shkruan:
“Ditët e shënuara në kalendarin e komuniteteve fetare, mbeten momente reflektimi, që na ftojnë drejt respektimit, dashamirësisë dhe vlerësimit të bekimit të madh të lirisë, nëpërmjet të cilit, nuk jemi të obliguar të japim llogari para askujt për çfarë jemi e, për çfarë, me krenari e integritet thërrasim, duke dëshmuar madhështinë e besimit, urtësive të fesë dhe rrezatimit të fetarizmit të shëndoshë në sigurinë e harmonisë dhe vëllazërisë kombëtare e njerëzore, përtej diversitetit”.
Përveç autoriteteve, gjatë pritjeve zyrtare në arqipeshkëvinë e Shkodrës zhvilluan vizita edhe qytetarë të thjeshtë duke uruar festën e shenjtë të Krishtlindjes.