Prej kohësh ndjek me shqetësim situatën e Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Shqetësim i vazhdueshëm kanë qenë dhe mbeten rezultatet shumë të dobëta sportive të Vllaznisë, por dhe pretendimet për keq-administrimin financiar dhe teknik të klubit.
Në kushtet e një situate në përkeqësim kam ushtruar të vetmin tagër që më japin ligjet në fuqi si kryetare e Bashkisë Shkodër, duke ndërmarrë një proces kontrolli mbi administrimin, mënyrën e marrjes së vendimeve për skuadrën dhe menaxhimin e financave.
Raporti paraprak i grupit të auditimit pritet të jetë i gatshëm më 30 Shtator. Në të njëjtën kohë kam kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Mbikëqyrës ose Bordit për të analizuar me përgjegjësi gjendjen e vështirë të Klubit të Futbollit “Vllaznia”.
Raporti dhe konkluzionet e mbledhjes urgjente të Këshillit Mbikëqyrës kërkoj të paraqiten për t’u shqyrtuar në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak (Asamblesë së përgjithshme) si pronar i shoqërisë tregtare Klubi i Futbollit “Vllaznia”.