Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Kryqin e Kuq shqiptar në 100-vjetorin e themelimit.
Në fjalën e mbajtur, Meta tha se kjo organizatë ka shkëlqyer në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Ai theksoi se tashmë Kryqi i Kuq Shqiptar ka struktura të shtrira në gjithë vendin duke ndihmuar ata që janë në vështirësi dhe duke u bërë shembulli më i mirë ti forcës së vullnetarizmit, por edhe të humanizmit.
2 tetor 2021
Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi veprimtarinë e vyer dhe kontributet e pandërprera humanitare dhe fisnike të shoqatës me të vjetër në vend, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Në ceremoninë solemne të mbajtur në Pallatin e Brigadave, Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim, me motivacionin: “Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e spikatura fisnike dhe përkushtimin e vazhdueshëm 100-vjeçar në shërbim të njerëzve në nevojë. Në vlerësim të veprimtarisë së pandërprerë vullnetare dhe humaniste të dhënë për çështje të ndryshme si: mbështetja e shtresave më në nevojë; dhënia e ndihmës së parë; përgjigjja në raste katastrofash natyrore dhe njerëzore si dhe promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut.”