Një tjetër seancë është zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër lidhur me çështjen e ceremonisë përkujtimore të ushtarëve serb dhe malazez në fshatin Gajtan të njësisë Gur i Zi. Seksioni i Antiterrorit në policinë vendore të Shkodrës më përpara ngriti një akuzë për nxitje të urrejtjes etnike por prokuroria e Shkodrës vendosi mosfillimin e këtij procedimi.
Antiterrori iu drejtua gjykatës së Shkodrës duke kërkuar që prokuroria të nisë hetimet. Kësaj here të pranishëm në sallën e gjyqit ishin vetëm njëra palë, seksioni i Antiterrorit të policisë ndërsa nuk ishte i pranishëm prokurori i çështjes Ermir Lelçaj.
Seksioni i Antiterrorit i kërkoi gjykatës së Shkodrës që prokuroria të bëjë çeljen e hetimeve, kryerjen e kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore lidhur me ngjarjen.
U kërkua gjithashtu të hetohen përfaqësuesit e shoqatës Rozafa Moraça dhe Shën Jovan Vladimiri si organizator të vendosjes së kryqit serbo-malazez dhe përkujtim të ushtarëve të vrarë në 1912-1913 të cilët erdhën për të pushtuar Shkodrën.
Antiterrori kërkoi që të ndiqet penalisht Pavlo Jakoja si përfaqësues i shoqatës Rozafa Moraça si dhe të merren të dhënat edhe për personat e tjerë që kanë qenë në atë ceremonial sepse mund të kenë të dhëna të dobishme për procedimin.
U kërkua nga Antiterrori që të bëhet pyetja e të gjithë personave të pranishëm në ceremonial duke përfshirë edhe të huajt që kanë qenë aty për të parë rolin e tyre dhe verifikimin e të gjithë institucioneve për të parë se e kujt është toka si territor atje ku është vendosur kryqi serbo malazez në Gajtan të njësisë
Gur i Zi ndërsa gjatë kësaj seance u konfirmua se bashkia Shkodër nuk ka dhënë një leje ndërtimi për vendosjen e kryqit atje. Gjyqtarja Izabela Radovani pyeti Antiterrorin duke i thënë se prokuroria pretendon se policia s’mund të jetë kallëzuesi por specialistët e Antiterrorit deklaruan se ata janë kallëzuesi dhe se kanë kryer të gjitha aktet e duhura proceduriale.
Më përpara në seancat e tjera për këtë ceremoni përkujtimore të ushtarëve serbo-malazez që erdhën para 106 vitesh si pushtues ka patur një përplasje mes prokurorisë dhe Antiterrotit në gjykatën e Shkodrës ndërsa ende nuk ka një vendim nga gjykata për të nisur ose jo hetimet nga ana e prokurorisë.