Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një raport të bërë publik për mediat, ka vërejtur se në disa KZAZ lista e zgjedhjeve është publikuar përtej afatit ligjor që parashikohet ose në disa raste të tjera zgjedhësit kanë patur pengesa dhe vështirësi në aksesin e tyre për t’u njohur me përmbajtjen e listave, për shkak të formës që është përzgjedhur nga administrata zgjedhore vendore për afishimin e tyre. Ky detyrim ligjor në tërësi nuk është zbatuar, si rrjedhojë e mos akordimit të fondit nga Ministria e Brendshme. KShH ka shprehur keqardhjen se kjo problematikë rezulton e përsëritur në zgjedhjet e mbajtura vitet e fundit në vendin tonë, ndërkohë që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje, mbeten të pazbatuara. Po ashtu është vërejtur se fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve). Pavarësisht se data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar. KQZ ka qenë në dijeni të këtyre fakteve të bëra në shumë raste publike në media, por Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione në këtë drejtim. Sipas raportit, numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta.
Pjesë nga konkluzionet e KShH:
Është pozitiv fakti se KQZ ka realizuar një fushatë sistematike, të shtrirë në mënyrë të arsyeshme në kohë, për edukimin e zgjedhësve, në mënyra të larmishme, duke përfshirë reklamat ndërgjegjësuese në televizione, radio, postera ndërgjegjësues, billboard (tabelë e ekspozuar në ambientet publike për qëllime reklamimi) si dhe me anë të rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të internetit. KQZ, me anë të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve ka reflektuar një qasje bashkëpunuese, me aktorët e shoqërisë civile, edhe pse konsultimi i projekt-akteve është realizuar në afate shumë të ngushta, duke pamundësuar dhënien e kontributit cilësor lidhur me to. Kjo për arsye të ngarkesës dhe ritmeve të larta të punës së këtij organi.
Refuzimi i regjistrimit të subjektit zgjedhor PD nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është ndër vendimet e diskutueshme të KQZ-së që solli vonesa për administrimin e procesit. Në vlerësimin e KShH-së, qëndrimi i Komisionerit ishte i gabuar dhe kjo u sqarua në vendimmarrjet e KAS, e cila, me vendimin nr. 27, datë 16.03.2023. Kjo vonesë në regjistrimin e subjektit zgjedhor PD, solli me efekt domino vonesa të pjesshme në regjistrimin e koalicioneve, regjistrimin e kandidatëve dhe plotësimin e një pakice anëtarësh të KZAZ-ve. Numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta. Në vlerësimin tërësor të KShH-së ka munguar roli pro-aktiv monitorues i zbatimit të vendimmarrjeve përfundimtare të KQZ-së (sikurse është ndalimi për rishpërndarjen e postimeve me karakter politik të Ministrave nga institucionet shtetërore). Nga ana tjetër, institucionet shtetërore kanë shfaqur një qasje jo reflektuese ndaj sanksioneve të dhëna për tipologji të ngjashme shkeljesh të sanksionuara më herët nga KQZ.
Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) përgjithësisht janë ngritur nga KZAZ-të brenda afateve, edhe pse subjektet zgjedhore që kanë të drejtën për të propozuar komisionerë, kanë përcjellë listat në limitet e afatit ligjor, të dt.14 Prill 2023. Si rrjedhojë e mosplotësimit të dokumentacionit nga subjektet zgjedhore për komisionerët e propozuar në QV, listat e përcjella janë konsideruar nga KZAZ-të si paraprake, duke i lënë atyre mundësinë për ta plotësuar dokumentacionin disa ditë përpara zgjedhjeve. Kjo qasje është e gabuar dhe në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, duke i hapur rrugë zëvendësimit të anëtarëve në ditët e fundit para zgjedhjeve (sikurse ka ndodhur rëndom në të kaluarën). Grupet e Numërimit të Votave (GNV) janë ngritur brenda afatit në shumicën prej KZAZ-ve të monitoruara, ndërkohë që vonesa janë konstatuar në KZAZ-të nr. 21, 22, 23 dhe 24 (Bashkia Durrës). Ndërkohë, pranë KZAZ-ve në Bashkinë Elbasan, subjektet zgjedhore dhe komisionerët në tërësi janë hasur me keqkuptime mbi nevojën e ngritjes së GNV-ve si rrjedhojë e realizimit të pilotimit të votimit e numërimit elektronik. Në këto kushte, KZAZ-të qëndrojnë ende në vakum sa i përket përcjelljes së propozimeve për anëtarë të GNV-ve.
Fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve). Pavarësisht se data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar. KQZ ka qenë në dijeni të këtyre fakteve të bëra në shumë raste publike në media, por Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione në këtë drejtim. Pas zyrtarizimit të kandidaturave prej subjekteve zgjedhore dhe depozitimit të listës e dokumentacionit mbështetës pranë KQZ-së, është vërejtur një fluks i shtuar aktivitetesh, por tërheq vëmendjen fakti i garës avantazhuese të kandidatëve për kryetarë bashkie që mbajnë këto poste (të rikandiduar), të cilët kanë reklamuar rezultatet e punës së tyre para fillimit të fushatës. Konkretisht, gjatë javës së fundit të Shkurtit, Kryetari aktual i Bashkisë Berat ka zhvilluar një zinxhir takimesh me bordet e prindërve të fëmijëve të kopshteve mbi rritjen e cilësisë së shërbimit, si dhe për të shkëmbyer ide për përmirësime të mëtejshme. Kandidati i PS në Gjirokastër, ka patur takime në zona të ndryshme, në orët e mbasdites dhe në fundjavë, edhe me emigrantët shqiptarë në Janinë[1]. Në Bashkinë Kukës, në periudhën 21 Mars – 9 Prill 2023, dy kandidatet politikë përfaqësues të PS Z.Safet Gjici, Kryetari aktual i Bashkisë (i rikandiduar) si dhe Z. Admir Sinamati përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kanë filluar një tur takimesh me grupe banorësh të fshatrave të ndryshme të qytetit të Kukësit, të cilat janë zhvilluar në lokale kafene të fshatrave përkatese, si dhe në oborre të shkollave 9-vjecare.
Në vigjilje të fushatës zgjedhore zyrtare, KShH dënoi ashpër dhe i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë aktin kriminal me rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Z. Bernard Ndreca, nëpërmjet vendosjes në makinën e tij, të një sasie eksplozivi. Gjithashtu, janë konstatuar edhe akte rastësore (sporadike) vandalizmi. Pavarësisht këtyre rasteve, në tërësi fushata nuk është shoqëruar me incidente të rënda. Megjithatë, është shumë shqetësues fakti se ajo është realizuar në një klimë tepër e polarizuar politike. Kjo klimë ka reflektuar me elementë të theksuar të gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjellta, në cënim të dinjitetit njerëzor ndaj drejtuesve dhe kandidatëve të subjekteve zgjedhore. Fushata zgjedhore e pasqyruar në media është përqëndruar më së shumti në retorikat midis drejtuesve të partive politike, ndërkohë që debati dhe ballafaqimi i platformave midis kandidatëve të forcave të ndryshme politike ka munguar. Në përgjithësi, vihet re një klimë e lartë apatie pasi zgjedhësit e kontaktuar në terren në Bashkitë Korçë, Kukës, Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Vlorë e Fier deklarojnë se janë të zhgënjyer nga partitë politike. Kodi Zgjedhor dhe aktet rregullatore të KQZ-së parashikojnë se mbulimi i fushatës së transmetuar nga radiot dhe televizionet private duhet të jetë i balancuar. Por këto balanca nuk janë ruajtur veçanërisht për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në mediat private lokale. Gjatë kohës televizive dedikuar fushatës zgjedhore, partitë e vogla jashtë parlamentare janë diskriminuar, pasi në tërësi, nuk ka patur minutazh të dedikuar për to.
Përfshirja dhe shfrytëzimi i administratës dhe burimeve shtetërore për promovimin e subjekteve zgjedhore apo kandidatëve të caktuar është në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor. Kjo dispozitë është shkelur në disa raste nga ana e subjekteve zgjedhore, e për këto raste KShH i është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Asetet publike të përdorura nga ana e subjekteve zgjedhore ishin të formave të ndryshme, duke filluar që nga shfrytëzimi i administratës shtetërore, burimeve materiale të institucioneve apo përdorimi i mjeteve të komunikimit elektronik, si një formë e re e shpërdorimit të aseteve publike e përhapur tej mase viteve të fundit. KSH ka administruar dhe verifikuar ankesa për përfshirjen e struktrurave arsimore në Korҫë, Maminas, Dibër, Kamëz, ose strukturat e pushtetit lokal në Gjirokastër, Vlorë e Lezhë. Të pyetur mbi perceptimet që ata kanë për përdorimin e aseteve publike në favor të fushatës, zgjedhësit në Bashkitë e Kukësit, Korçës, Malësisë së Madhe, Durrësit, Lezhës, Fierit i kanë pohuar vëzhguesve të KShH-së se punimet dhe rikonstruksionet në hapësira të ndryshme në këto bashki realizohet qëllimisht disa muaj apo javë para datës së zgjedhjeve, në favor të fushatës elektorale të kryetarëve të Bashkisë, të rikandiduar. Në Bashkinë Tiranë, vëzhguesit raportojnë shtrime masive të rrugëve në lagje të ndryshme, për një periudhë afro 3 mujore, deri në pak ditë para datës së zgjedhjeve, punime të cilat u mbyllën për një kohë shumë të shkurtër. Indiferenca e qytetarëve për të raportuar krimet zgjedhore, veçanërisht të rasteve të shitblerjes së votës si dhe mungesa e hetimeve të shpejta dhe ofrimi i mbrojtjes ndaj kallëzuesve, janë disa nga pengesat për ndëshkueshmërinë e tyre. Të dhënat statistikore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve përgjatë zgjedhjeve të mbajtura 6 vitet e fundit në vendin tonë, tregojnë gjithashtu hetime në nivele të ulëta të organizimit politik të subjekteve zgjedhore dhe raste të pakta ndëshkimi.
Nga takimet e realizuara në disa Bashki të Vendit, si Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Elbasan, Durrës, Fier, qytetarët e perceptojnë fenomenin e shitblerjes të përhapur tek bashkëqytetarët e tyre por jo tek ata vetë. Ka një perceptim më të ulët të këtij fenomeni në pjesën jugore dhe juglindore të vendit. Në Bashkitë Malësi e Madhe, Dibër dhe Lezhë, janë kontaktuar zgjedhës që kanë pohuar se para ditës së votimit ofrohen të mira materiale dhe para, në këmbim të votës. Në komunitetet e pakicave etnike rome dhe egjiptiane, ky kontakt perceptohet se kryhet haptazi. Javët por veçanërisht ditët e fundit janë denoncuar në media disa raste të dyshimta të shitblerjes së votës në Bashkitë Tropojë, Has, Tiranë, Himarë dhe Mallakastër (shumica e tyre vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve). Në vijim të këtyre rasteve, i jemi drejtuar Prokurorive të disa rretheve gjyqësore dhe Prokurorisë së posaçme, me kërkesa zyrtare për informacion, ndërkohë që procedimet e prokurorisë me nismën e saj, për raste të ngjashme në të kaluarën janë shumë të ulëta. Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë një qarkore për hetime të shpejta dhe ashpërsim të masave të sigurimit personal dhe dënimeve të kërkuara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore. Bazuar në konkluzionet e një nga rasteve të verifikuara në terren nga vëzhguesit e KShH-së, për indicje publike të keqpërdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore në Bashkinë Patos, jemi drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm me rekomandim për mbikqyrjen e zbatimit të saj, pa cenuar parimin ligjor të pavarësinë e prokurorëve të çështjes. Takimet janë e pasqyruara në rrjetin e tij social Facebook, janë ndarë e pëlqyer, nga administrata e pushtetit vendor e atij ekzekutiv (gjatë orarit zyrtar të punës).