Në bazë të rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, rivotimi i së dielës në Tearcë të Tetovës nuk e ka ndryshuar numrin e mandateve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
“LSDM-ja sot në Tearcë grumbulloi 245 vota, VMRO-DPMNE-ja 149 vota”, thuhet në ueb-faqen zyrtare të KSHZ-së. Kjo nënkupton se nuk do të ketë ndryshime në numrin e mandateve për shkak se në bazë të numrit të përgjithshëm në njësinë e gjashtë zgjedhore VMRO DPMNE mbetet në avantazh kundrejt LSDM-së. Në zgjedhjet e 11 dhjetorit VMRO DPMNE ka siguruar 51 deputetë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë 49 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim 10 deputetë, Rilindja me Besë 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë. Paraprakisht, Petre Shilegov, bartës i listës zgjedhore në njësinë e gjashtë zgjedhore, që përfshinë dhe Tearcën, tha se banorët e Tearcës me votën e tyre kërkuan institucione të përgjegjshme, Qeveri, e cila do t’u përgjigjet nevojave të banorëve të Maqedonisë. Edhe kundrejt asaj se Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, në bazë të rezultatit zgjedhor, edhe pas rivotimit mbetet me dy mandate më pak se VMRO- DPMNE, Shilegov është shprehur i prerë se partia që përfaqëson ai, do të jetë ajo që do ta formojë Qeverinë e re të Maqedonisë. “Edhe në fillim të kësaj mini-fushate brenda tre ditësh pata thënë se rivotimi në Tearcë është simbolik, dhe në aspektin politik nuk ndikon në atë se kush do ta bëjë Qeverinë e re të Maqedonisë. Qeverinë e re të Maqedonisë do ta formojë Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë. Të dielën nga Tearca, banorët dhanë mesazhin e njëjtë sikurse të tjerët në Maqedoni: se do të ketë Qeveri që jep llogari, që do t’i zbatojë reformat demokratike në vend”, ka deklaruar Shilegov. I pyetur nëse Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë është në bisedime me ndonjërën nga partitë, Shilegov ka thënë se kjo do të bëhet publike për opinionin pas rezultateve përfundimtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërsa, nga VMRO DPMNE, përmes një komunikate kanë theksuar se Tearca të dielën e 25 dhjetorit parandaloi falsifikimin zgjedhor. “Për VMRO DPMNE-në zgjedhjet kanë përfunduar qysh më 11 dhjetor. Sot edhe ne sikurse mbarë opinioni kuptuam se edhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve, banorët e Tearcës e penguan tentimin për manipulim zgjedhor. Si fitues të zgjedhjeve mbetemi të përkushtuar në hapat e ardhshëm rreth formimit të Qeverisë së re”, thuhet në komunikatënpër shtyp të VMRO DPMNE- së. Pas rivotimit të së dielës në Tearcë, KSHZ-ja pritet të certifikojë rezultatin zgjedhor, kurse më pas pritet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe nisja e afateve për formimin e qeverisë së re. Në bazë të Kushtetutës, mandati do t’i jepet partisë më të madhe fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së, e cila ka nevojë dhe për mbështetjen e partive shqiptare për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh.