Masat provizore të vendosura nga Policia e Shkodrës pas aksidentit tragjik të 2 gushtit 2016, ku humbën jetën 4 të rinj në afërsi të hidrovorit në Velipojë, vijojnë të jenë të vetmet parandaluese të aksidenteve të mundshme në këtë zonë.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 muaj, duket qartë se nuk ka pasur asnjë angazhim institucional për ngritjen e një barriere të mirëfilltë dhe ndriçimin e zonës. Banorët pohojnë jashtë kamerave se ndriçimi në këtë segment rrugor është i kufizuar, pasi dëmtimet që ndodhin vazhdimisht, nuk riparohen.
Rrezikshmëria vijon të jetë prezente gjatë gjithë kohës, pasi pikërisht tek kthesa prej 90 gradësh përfundon asfalti, ndërsa pjesa më e madhe e kësaj hapësire është e mbushur me materiale inerte, ç’ka kufizon fushëpamjen për drejtuesit e automjeteve.
2 aksidente tragjike me të njëjtën dinamikë ngjarje kanë ndodhur gjatë vitit 2016 në këtë zonë periferike të Velipojës, por pavarësisht kësaj gjithçka vijon të mbetet një gërmadhë më rërë dhe goma automjetesth që vetëm barrierë për parandalimin e aksidenteve nuk mund të quhet.