Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, flet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Joseph thotë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së. Në atë rast, ai nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç thotë, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan. Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”.

“Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, thotë Joseph.

Ai flet edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, javën e kaluar në disa vende të Ballkanit.

Radio Evropa e Lirë: Fushata zgjedhore në SHBA po merr hov, ndërkohë që gara mes dy kandidatëve është tejet e ngushtë. Ka shumë pasiguri – sondazhet nxjerrin në epërsi herë Harrisin, herë Trumpin. Sa ndihet kjo pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor?

Edward P. Joseph: Fakti që gara është e ngushtë, nuk e ndikon Ballkanin, por e ndikon perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në presidencë. Cilido kandidat tjetër republikan të ishte – qoftë të kaluarit si Mitt Romney apo George Bush, apo të mëvonshmit si Marco Rubio apo Nikki Haley – ju nuk do të më pyesnit nëse kjo zgjedhje do ta ndikonte Ballkanin. Do të ishte me interes për Ballkanin, por nuk do të ndikonte në Ballkan.

Ajo që e prek rajonin, është perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit dhe qasja thelbësisht tjetër ndaj politikës së jashtme dhe ndaj rolit të Amerikës në botë. Kjo, padyshim, do të ndikonte në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës. Sepse, [në atë rast] ekziston perspektiva e një aleance krejt tjetër – e një aleance me autokratë – që do të vinte në pikëpyetje vazhdimin e qasjes së njëjtë ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ndaj Ukrainës. Njëjtë do të ishte edhe me Ballkanin: do të vazhdohej apo do të lihej mënjanë përkushtimi ndaj disa parimeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Konkretisht, si do ta ndikonte Ballkanin rikthimi i mundshëm i Trumpit?

Edward P. Joseph: Një ndër çështjet kryesore me efekt në Ballkan, është Ukraina, lufta në Ukrainë. Ai [Trump] mund të përpiqet të arrijë marrëveshje me Rusinë për Ukrainën dhe ta shtyjë Ukrainën drejt një zgjidhjeje territoriale. Nëse e bën këtë, duke treguar një lloj marrëdhënieje miqësore me Putinin, kjo ndikon menjëherë në Ballkan. Sepse, aleanca me autokratë si Putini nënkupton qasje më të butë ndaj [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Për mendimin tim, edhe administrata e Bidenit ka qenë tejet e butë ndaj tij.

Duhet theksuar se Harris, kur e ka pranuar nominimin e Partisë Demokratike në Çikago, ka thënë se nuk do të miqësohet me autokratë.

Radio Evropa e Lirë: Në politikën e jashtme, amerikanët kanë çështje të mëdha në agjendë – ju e përmendet luftën në Ukrainë, pastaj është lufta në Gazë. Në krejt këtë vorbull ngjarjesh, ata kanë kthyer vëmendjen edhe kah Ballkani – gjë të cilën mund të themi se e dëshmon edhe vizita e shefit të CIA-s, javën e kaluar…

Edward P. Joseph: Ajo që mund të nxjerrim nga kjo vizitë, është shqetësimi i vazhdueshëm i administratës Biden për Ballkanin. Duhet kujtuar se në fillim të kësaj administrate, ka pasur zyrtarë që e kanë thënë publikisht në seanca dëgjimore të Kongresit se nuk ka ndonjë arsye për t’u shqetësuar për konflikte në Ballkan. Tani, në gusht të vitit 2024, keni drejtorin e CIA-s, i cili është i përfshirë në negociatat jashtëzakonisht komplekse për armëpushimin [në Gazë], që shkon në së paku tri kryeqytete të Ballkanit.

Arsyeja që ka shkuar nuk ka të bëjë me mbajtjen e interesimit në rajon, por ka të bëjë me brengat dhe shqetësimet për të. Dhe kjo dallon nga ajo që kemi dëgjuar në fillim të administratës Biden.

Artikulli paraprakE NGARKUARA ME PUNË E SHBA TAKON MANJËN
Artikulli tjetërBEGAJ APEL AMBASADORËVE DHE KONSUJVE: SHËRBEJUNI SHQIPTARËVE