Këto janë fotot e 13 viteve më parë që siguron Star Plus dhe në këtë vend në afërsi të Urës së Vjetër të bunës u mendua që të hapej pika e kalimit kufitar Ura e Bunës-Vir Pazar, por një vit pas hapjes në vitin 2007 kjo pikë kalimi jo vetëm që u mbyll, por vitet e fundit u hoq dhe godina.
Territori i pikës kufitare është zëvendësuar tashmë me një rrugë pedonale dhe hapësira të gjelbra, ndërsa në afërsi të saj sheshi është kthyer në vend për hedhjen e mbeturinave.
Hapja e kësaj pike u prit me mjaft interes nga qytetarët shkodranë, të cilët shpresonin për nxitjen e turizmit dhe bashkëpunimit me Malin e Zi.
Pika kufitare që do t’i shërbente linjës së dikurshme të lundrimit Ura e Bunës – Vir Pazar, u hap 62 vite pas ndërprerjes së lundrimeve ndërkombëtare në lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës.
Por realisht kjo pikë kufitare shërbeu si e tillë vetëm ditën kur u inaugurua dhe më pas vetëm emrin e kishte të tillë. Shuarja e funksionimit të kësaj pike erdhi në mënyrë graduale.
Në fillim, pranë molos së Urës së Bunës qëndronte një kabinë me dy flamuj, një shqiptar dhe një malazez, ndërsa brenda rrinte një punonjës i policisë kufitare. Asnjëherë kjo pikë nuk i shërbeu qëllimit për të cilin u hap.