Në një takim të thirrur nga Bashkia Shkodër qëllimi i të cilit ishte ndarja e përgjegjësive sa i përket planit kundër kultivimit të bimëve narkotike, u ngritën debate të shumta për mungesë bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe strukturave të pushtetit vendor.
Shefi i komisariatit të Policisë së Shkodrës Alfred Cenaj tha se janë ushtruar kontrolle të shumta, ndërsa bëri me dije se një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike është zbuluar në Njësinë Administrative Shalë. Gjatë diskutimeve të zhvilluara në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, kryetarët e fshatrave u shprehën bashkëpunues në raport me policinë, ndërsa dolën totalisht kundër marrjes së përgjegjësive personale.
Disa prej tyre tyre thanë gjithashtu se do të heqin dorë nga detyra që u është dhënë. Shefi i Rendit në Policinë e Shkodrës Saimir Rrustemi tha se ligji u kërkon kryetarëve të fshatrave dhe drejtuesve të Njësive Administrative që të japin informacion. Edhe kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi citoi ligjin mbi përgjegjësitë që kanë drejtuesit e pushtetit vendor, ndërsa ftoi edhe policinë të rritet bashkëpunimi.
Sipas Bashkisë Shkodër, në këtë takim ishin të ftuar edhe zyrtarë të prefekturës së qarkut, institucion i cili nuk kishte asnjë përfaqësues në këtë takim.