Pjesëmarrësit në aktet e dhunshme më 27 prill në Kuvend duhet të nxirren përpara drejtësisë dhe assesi nuk duhet të mendohet për amnistimin e tyre, thonë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar deklaratën e presidentit Gjorge Ivanov për falje dhe pajtim me aktorëve të skenës politike, por edhe pjesëmarrësve në dhunë.

Presidenti Ivanov një një intervistë për një medie, të afërt me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, tha se shumica e re parlamentare duhet ta ndjek shembullin e vitit 2001. “Ne në vitin 2001 kishim konflikt të armatosur dhe gjetëm mënyra që të pajtohemi. Nëse ne atëherë falëm krime të luftës pse këtë të mos e bëjmë edhe tani, të falim njerëzit që morën pjesë në turmë dhe që vepruan me emocione. Këtë i takon ta bëjë shumica parlamentare, pasi nëse kjo ndërmerret nga ana ime kërkon shumë kohë për shkak të procedurave nëpër të cilat duhet të kalojë amnistia”, ka deklaruar Ivanov pas dhënies së mandatit për formimin e Qeverisë, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Por për Temelko Ristevskiin, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Fon të Shkupit, ‘falja është veprim i mirë dhe ajo duhet të praktikohet në rrethana e momente të caktuara’, por në rastin konkret, thotë ai, ‘falja nuk ka vend’.

Ai thotë se në Kuvend kanë ndodhur ngjarje të rënda, ku në shënjestër të protestuesve ishin të zgjedhurit e popullit, ata që duhet të garantojnë zbatimin e ligjit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare apo bindjeve partiake. Profesori Ristevski, thotë se rasti duhet të zbardhet nga drejtësia pasi çdo amnisti apo falje e dhunuesve mund të çoj në përsëritjen e veprave të tilla që i kanë vënë një njollë të zezë Maqedonisë. “Shikuar nga këndvështrimi juridik, apo nga këndvështrimi preventiv, vlerësoj se këta persona duhet të nxirren përpara drejtësisë dhe të dënohen për veprat e bëra. Presidenti kur përmendi amnistinë ka pasur për qëllim aspektin etik të rastit apo pajtimin në shtet. Por në anën tjetër vlerësoj se me këtë ne legjitimojmë dhunën apo nxisim veprime të tilla edhe në të ardhmen. Më 27 prill ka pasur dhunë të rëndë, të organizuar mirë nga qarqe të caktuara politike, andaj për këtë vepër penale duhet të ketë epilog gjyqësor pasi janë dhunuar përfaqësuesit e popullit, ata që duhet të kujdes për ligjshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve të këtij vendi”, thotë Ristevski.

Ngjashëm vlerëson edhe Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës. Ai nuk pajtohet me vlerësimin e presidentit se “nëse kishte amnisti në vitin 2001 për ish pjesëtarët e UÇK-së, pse të mos ketë edhe për ngjarjet në Kuvend”. Selmani thotë se presidenti nuk duhet të bëjë paralele të tilla, pasi bëhet fjalë për dy ngjarje krejtësisht të kundërta. “Është e padrejtë që të bëhet një krahasim me vitin 2001 pasi atëherë kishte rrethana tjera ndërsa kjo e fundit që ndodhi në Kuvend është diçka tjetër, pra janë dy ngjarje krejtësisht të kundërta. Nëse do të ndodhtë një amnisti e tillë do të ishte një fatkeqësi e radhës për Maqedoninë për arsye se edhe presidenti edhe qeveritë në të ardhmen më tepër do të merreshin me çështjet kriminale se sa me atë që është shtet demokratik dhe funksional”, thotë Selmani. Lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendit, deri më tani janë identifikuar apo janë marrë në pyetje mbi 20 persona ndërsa për 9 prej tyre tani më ka nisur edhe procesi gjyqësor. Në liri mbeten ende organizatorët kryesor të protestës përfshirë edhe 6 deputetë të VRMO-së të cilët gjithashtu dyshohen të ketë qenë pjesë e skenarit për pushtimin dhe dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të shumicës parlamentare.

Artikulli paraprakMOTI 19 MAJ 2017
Artikulli tjetërBE GJOBIT “FACEBOOK” ME 110 MILIONË EURO PËR SHKAK TË “WHATSAPP-it”