TIFOZËT E GUINESË NDËRPRESIN NDESHJEN PËR 30 MINUTA. Kupa e Afrikës do të ndahet mes Ganës dhe Bregut të Fildishtë. Ajo që mori më shumë vëmendjen ishte takimi gjysëm final mes Ganës dhe Guinesë.
Takimi është ndërprerë për 30 minuta si pasojë e skenave të turpshme të tifozëvë të Guinesë. Gana fitoi lehtësisht me rezultatin 3-0, por tifozët e Guinesë, të irrituar pas shënimit të golit të tretë nga Ganezët, nisën të gjuanin me sende të forta fansat kundërshtarë, ndërsa policia hapi dyert e fushës për tifozët e Ganës dhe u desh jo pak kohë e madje dhe ndërhyrja e një helikopteri, që situata të normalizohej. Pas qetësimit të situatës, lojtarët u rikthyen në fushën e blertë për të luajtur edhe 3 minutat e shtesës, të cilat ishin tashmë një formalitet, me Ganën të kualifikuar për në finale. Në takimin tjetër gjysëmfinal, Bregu i Fildishtë fitoi 3-1 ndaj Kongos pa shumë vështirësi. Ajo që mund të përmendet është goli i shënuar nga Yaya Toure. Mesfushori i Manchester City lëshoi një “predhë” për të zhbllokuar rezultatin. Një goditje shumë e fuqishme të cilën portieri kundërshtar nuk arriti ta prekte. Pas këtij goli, Bregu i Fildishtë shënoi dhe dy të tjerë, kundrejt një të kundërshtarëve duke shkuar kështu me pretendime për fitimin e Kupës së Afrikës në finale ndaj Ganës.