Ekipi i Vllaznisë do të përballet me Pogradecin në turin e parë eleminator të Kupës së Shqipërisë. Kështu ka përcaktuar shorti i hedhur të mërkuren në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë short morën pjesë 32 skuadra, ku 10 janë nga Kategoria Superiore, 20 nga Kategoria e Parë, ndërsa nga Kategoria e Dytë janë vetëm Tomori dhe Naftëtari.

Ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në dy grupe me nga 16 skuadra dhe ekipi i Vllaznisë bën pjesë në grupin A.Ndërkohë, ekipi i Tërbunit të Pukës ndodhet në grupin B dhe do të përballet me Burrelin, kurse Ada e Velipojës që edhe ajo është pjesë e këtij grupi do të ndeshet me Teutën e Durrësit. Turi i parë eleminator do të zhvillohet me datat 16 dhe 30 Shtator, me dy takime vajtje – ardhje.Në rast kualifikimi në turin e parë, shkodranët do të përballen në turin e dytë me fituesin e çiftit: Shkumbini – Apolonia. Për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet një short i lirë ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur, ndërsa finalja do të zhvillohet me datën 25 Maj të vitit 2016.Kujtojmë se ekipi fitues në fuqi i Kupës së Shqipërisë është Laçi, ndërsa këtë vit lufta sportive do të jetë më e ashpër, pasi ekipet kanë shpenzuar shumë në merkato.Përsa i përket Vllaznisë, duhet theksuar se kupa mund të jetë e vetmja rrugë që mund të dërgojë shkodranët në kupat e Europës, pasi ndërmjet kampionatit është shumë e vështirë. Gjithsesi, mbeten për tu zbuluar edhe objektivat e ekipit të Vllaznisë nga trajneri Zmijani, i cili një gjë të tillë e ka premtuar pasi të përfundojë merkatoja. Merkatoja është mbyllur dhe tifozët po presin objektivin e ekipit të tyre.

Artikulli paraprakJOHANES HAHN: EUROPA E BASHKUAR ZGJIDHJA E EMIGRANTËVE
Artikulli tjetërJULIAN MORINA KERKON PRESIDENCEN E VLLAZNISE