Vllaznia në 29 janar do të zbresë sërish në fushën e lojës. Kuqeblutë do të luajnë ndeshjen e Kupës ndaj Flamurtarit. Pas takimit të kampionatit të zhvilluar para pak ditësh ndaj vlonjatëve, shkodranët do të kenë një tjetër përballje me vlonjatët por këtë herë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Trajneri Mirsad Jonuz menjëherë pas barazimit në kampionat me Laçin ka nisur përgatitjet me ekipin e tij për takimin e radhës në Kupë me Flamurtarin.

Grupi i futbollistëve për këtë përballje është i plotë përveç mesfushorit Behar Ramadani i cili ende nuk është në formën e tij optimale për shkak të një dëmtimi që kishte këto ditë. Ramadani është rikthyer në seancat stërvitore por me shumë mundësi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Kupës me vlonjatët sepse do t’i duhen edhe disa ditë për të arritur formën e tij më të mirë sportive.

Ramadani nuk është i vetmi që mund të mungojë sepse sipas burimeve pranë ekipit i gatshëm mund të mos jetë edhe mesfushori tjetër Florind Bardulla. Shkodrani gjithashtu ndjen disa shqetësime nga një dëmtim dhe është në dyshim për takimin me Flamurtarin. Nga ana tjetër mbrojtësi Gurishta pritet që të jetë në fushën e lojës duke qenë se do të mungojë në ndeshjen e radhës në kampionat për shkak të kartonëve të verdhë.

Vllaznia në përballjen me Flamurtarin do të kërkojë një fitore për të qenë sa më afër kualifikimit në Kupën e Shqipërisë. Pas këtij takimi të mesjavës Vllaznia, në fillim të javës së ardhshme, të hënen do të luaj takimin e kampionatit me Bylisin në transfertë, një përballje e vështirë ku sërish ajo që kërkohet është një rezultat pozitiv.

Artikulli paraprakEMRAT E RRUGËVE NË LEZHË, DEBATE NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT
Artikulli tjetërBASKET, VLLAZNIA FIRMOS ME SERBIN VUJOVIÇ