Vllaznia ka barazuar në ndeshjen e parë të kupës përballë Pogradecit në sfidën që u luajt në transfertë. Kuqeblutë edhe në këtë sfidë shfaqën pretendime për arbitrimin. Ndeshja që u mbyll në barazpeshë në shifrat 1-1 nuk shkoi shumë mirë për kuqeblutë të cilët u ndëshkuan me 2 kartona të kuq në pjesën e dytë teksa dy lojtarët e rinj Gurishta e Krymin u detyruan të dalin nga fusha.
Takimi i kupës në Pogradec nis më mirë për Vllazninë e cila realizon golin e avantazhit me anë të sulmuesit Kdouh. Në fund të pjesës së parë shkodranëve i anullohet goli i dytë që realizohet nga paraguajini Santiago Martinez i cili sipas gjyqtarëve ishte në pozicion jashtë loje. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Vllaznisë. Në pjesën e dytë kur pritej që shkodranët të realizonin të tjerë gola përballë një ekipi si Pogradeci vijnë ndëshkimet me karton të kuq. Gurishta dhe Krymi bëjnë disa ndërhyrje për të cilat arbitri i ndeshjes i ndëshkon me të kuqe. Kaq mjafton dhe pogradecarët ndryshojnë kursdhe hidhen në sulm. Tashmë me 9 futbollistë në fushën e lojës Vllaznia e ka të vështirë që ta mbajë avantazhin apo të realizojë gola të tjerë. Vendasit arrijnë që të barazojnë shifrat në 1-1. Edhe pse me 9 futbollist kuqeblutë sigurojnë barazimin dhe pothuajse llogaritë e kualifikimit janë mbyllur. Tashmë në ndeshjen e kthimit shkodranët do ta kenë më të lehtë ndaj Pogradecit për të arritur kualifikimin dhe vazhdimin më tej në kupën e Shqipërisë. Gjithsesi ky trofe siç tha pak kohë më parë trajneri i Vllaznisë Luan Zmijani nuk është objektiv i kësaj skuadre sepse e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në ndeshjet e kampionatit.