Vllaznia do të luaj ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë përballë Mamurrasit, sfidë që do të luhet në transfertë.
Një përballje në plan të parë e lehtë, megjithatë nga stafi teknik i kuqebluve nuk do të nënvlerësohet shumë. Sigurisht, në këtë takim nuk do të luajnë futbollistët, që mendohet të jenë titullarë në Korçë, të shtunën, ndaj Skënderbeut. Do të jetë radha për të luajtur e futbollistëve që deri më tani nuk kanë gjetur shumë hapësira. Kështu, me shumë të ngjarë në fushë do të jetë portieri Selimaj, për të vazhduar me Vrapin, Pjeshkën, Dycën, Çinarin, Kalajën, Krujën, Dibrën, Erkoçeviq e të tjerë të cilët do të kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre dhe të bindin stafin teknik për një vend në formacionin e parë në sfidat e ardhshme. Nga ana tjetër, paradreke trajneri Cungu bashkë me stafin e tij ishin në stërvitje me grupin e titullarëve dhe menjëherë pas kësaj seance kanë udhëtuar drejt Mamurrasit për takimin e Kupës. Një zgjidhje ka qenë për të qëndruar njëri prej trajnerëve në Shkodër, për të kryer stërvitjen me grupin e titullarëve, por Cungu ka dashur të jetë vetë i pranishëm, edhe në krye të stërvitjes, edhe në ndeshje ndaj edhe është vendosur në këtë mënyrë. Objektivi është i qartë, të arrihet fitorja duke mbyllur punë me Mamurrasin që në takimin e parë. Natyrisht që vëmendja më e madhe për drejtuesit e Vllaznisë është për sfidën e radhës në kampionat që luhet ndaj Skenderbeut nga ku kërkohet një lojë më e mirë se ndaj Korabit dhe pse jo edhe një rezultat pozitiv.