Teuta do të presë Vllazninë këtë të dielë për të zhvilluar takimin e javës së 29 të kampionatit.
Ndeshje kjo e cila do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” në orën 19:00 duke i dhënë kështu rëndësinë e merituar kësaj sfide kaq të rëndësishme ndërmjet dy ekipeve që lufojnë me njëra-tjetërn për tu larguar nga zona e mbijetesës.
Sa i përket kësaj përballjeje të dy ekipet kanë zhvilluar dhe vijojnë përgatitjet maksimale për në këtë takim.
Tek klubi shkodranë stërvitjet janë zhvilluar zakonisht me dy seanca stërvitore në ditë në palestër dhe në fushë sportive ku fatmirësisht kuqeblutë shkodranë në këtë takim janë të plotë sa i përket lojtarëve
ku mungon vetëm Antonio Marku i cili është në fazë rikuperimi ndërkohë është edhe Renato Malota i cili po bën stërvitje të veçuar për të arritur rendimentin fizik për në këtë ndeshje.
Ndërkohë trajneri i shkodranëve, Ernest Gjoka ka menduar që pasditen e së enjtes të përgatisë ekipin në fushën e blertë të stadiumit “Loro Boriçi”.
Pasi kanë marrë miratimin e administratorëve të stadiumit, Gjoka ka nisur aplikimin e skemave dhe taktikave të planifikuara për ndeshjen kundër Teutës.
Trajneri i Vllaznisë ka kërkuar që stërvitja të zhvillohet në “Loro Boriçi” pasi vetë terreni i këtij stadiumi jep mundësi për aplikim të skemave dhe përgatitjeve në kushte optimale.
Ndeshja kundër Teutës është vlerësuar maksimalisht nga Vllaznia, teksa pritet të jetë një 90-minutësh tejet i luftuar.