SKUADRA ZHGËNJEN, TRAJNERI I KËNAQUR, TIFOZËT TË IRRITUAR. 6 humbje radhazi bëri skuadra e Vllaznisë në gjysmën e parë të sezonit, madje arriti të shlyente disi gabimet me pesë fitore të njëpasnjëshme.

Pas këtij suksesi kur të gjithë menduan se ekipi tashmë do të ketë një qëndrueshmëri vijnë katër humbje radhazi, tre në kampionat dhe një në kupë. Tre humbje ka Vllaznia për fitin 2015 dhe një në ndeshjen e fundit të dhjetorit të vitit 2014. Duke u ndalur vetëm tek takimet e këtij viti, kemi parë një ekip me të njëjtat simptoma si në gjysmën e parë të sezonit. Gabimet në mbrojtje janë të pashmangshme. Jo gabime sporadike por nga ato më amatoret e mundshme me një mungesë totale profesionalizmi. Ato më trashaniket u rregjistruan në ndeshjen e parë ndaj Kukësit në kampionat në “Loro Boriçi”, ndërsa me Teutën e Kukësin sërish në Kupë, mbrojtësit gabuan por në një masë më të vogël. Të gjithë janë të vetëdijshëm pasi pamjet tregojnë fare qartë nivelin e skuadrës dhe aftësitë e saj për të zhvilluar një ndeshje në kampionatin shqiptar të futbollit. Ajo që mund të justifikojë disi pretendimet e skuadrës është vetëm ndeshja me Teutën ku u pretendua për një gjykim jo të drejtë. Duke u gjendur përballë kësaj situate, kemi një staf teknik të qetë dhe madje shumë të kënaqur me lojën e skuadrës. Tifozët kanë tregur mjaft mirë irritimin e tyre duke qenë në një numër shumë të vogël në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Të vetmit tifozë besnikë grupimi “Vllaznit Ultras” shumë herë gjatë ndeshjes me Kukësin thirrën për një keq menaxhim e duke sjellë në kujtesë 5 vitet e ekipit që vetëm po dështon. Në konferencë për shtyp trajneri Baldo Raineri u shpreh se Vllaznia nuk luajti ndaj Apolonisë apo Elbasanit por ndaj ekipeve që pretendojnë. Në një farë mënyre duke thënë kështu se skuadra mund të arrijë një fitore vetëm përballë ekipeve të cilat tashmë duket se kanë siguruar rënien nga kategoria. Objektivi në Kupë është drejt dështimit. Ndërsa për një fitore me sa duket do të duhet të presim për shumë javë të tjera. Mbetet për t’u parë takimi i radhës në kampionat ku në fundjavë Vllaznia do të presë po në “Loro Boriçi” ekipin e Tiranës.

Artikulli paraprakPRIMERA DIVISION, REALI +4 NGA BARCELONA
Artikulli tjetërBANORËT E BËRDICËS: FATURAT E ENERGJISË TË SHLYHEN ME DËMSHPËRBLIMET