Bundestagu miratoi të enjten, 26 shtator 2019, në një debat gjysmë ore, me propozim të dy grupeve parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD , rezolutat për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në dhe Maqedoninë e Veriut.

Për Maqedoninë e Veriut votuan 465 deputetë pro, nga 603 deputetë, kurse në votimin e Shqipërisë morën pjesë gjithsej 599 deputetë, prej të cilëve 395 votuan pro dhe 188 kundër, ndërsa 16 abstenuan. Dallimi në vota mes dy vendeve vjen si pasojë e votimit të liberalëve, FDP, pro Maqedonisë së Veriut dhe kundër Shqipërisë. Të Gjelbrit, iu bashkëngjitën kërkesës së dy partive të koalicionit, CDU/CSU dhe SPD, megjithëse ishin kundër kushteve shtesë të Bundestagut për Shqipërinë. Një kompromis ky, të cilin i ish dashur ta bënte më parë edhe partia socialdemokrate, në mënyrë që Shqipërisë t’i jepej dritë e gjelbër për negociatat, siç i tha Deutsche Welles para votimit, Christian Petry, folësi i grupit parlamentar të kësaj partie për çështjet e Bashkimit Evropian.

Rast historik

Debati që u bë në Bundestag ishte deri diku i qetë. Ai u hap nga eksperti i Evropës Juglindore, Josip Juratoviç, SPD, i cili e vuri theksin kryesisht te përparimet që kanë bërë këto vende falë perspektivës evropiane,

Ngjashëm argumentoi edhe Florian Hahn, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për Evropën. Ai u kujtoi premtimin që u është bërë këtyre dy vendeve për fillimin e negociatave. Hahn lavdëroi përpjekjet e tyre për reforma, por diferencoi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duke i kujtuar Shqipërisë krizën e brendshme politike, korrupsionin, krimin e organizuar, por edhe mallin për „Shqipërinë e Madhe”, siç e quajti ai. Por Hahn diti t’i kthente këto mangësi në argumente pro çeljes së negociatave: “Çfarë të bëjmë, ta lëmë Shqipërinë vetëm?” Pyeti Hahn dhe paralajmëroi: “Do të humbim një rast historik, nëse i kthejmë shpinën Shqipërisë” tha ai duke korrur kështu duartrokitje nga kolegët e grupeve të koalicionit.

“Arroganca e Bundestagut”

Më e zjarrtë ishte fjala e deputetit të gjelbër, Manuel Sarrazin, i cili në fillim përshëndeti zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, që e ndiqte nga tribuna seancën e mbajtur në orët e vona të mbrëmjes në Berlin. Osmani kishte ardhur enkas nga Shkupi, për të treguar rëndësinë që i jep vendi i tij këtij votimi. Sarrazini u shpreh i indinjuar me atë që ai e quajti „arrogancë“ të Bundestagut që vendos kushte të reja, përtej atyre që ka vendosur Komisioni i BE-së. Veç të tjerash, ai kritikoi edhe ndërhyrjet e disa deputetëve në krizën e brendshme në vend, si ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë.

Të Gjelbrit kishin parashtruar edhe një kërkesë për ta ndryshuar rezolutën. Aty kërkohej konkretisht që Gjermania të ndikojë që konferenca e pare e negociatave me Shqipërinë të hapej qysh në fund të vitit 2019. Veç të tjerash, Të Gjelbrit kërkonin që kushtet të mbeteshin “ato të përcaktuarat nga Komisioni i BE-së, të miratuara në Këshillin Evropian për Çështje të Përgjithshme, më 26 qershor 2018.” Kërkesa e tyre u refuzua.

Kërkojmë dënime zyrtarësh

Edhe Peter Beyer, nga CDU, nuk i kurseu kritikat Por jo në adresë të kolegëve por në adresë të Shqipërisë, megjithëse në fillim lavdëroi ngritjen e një tryeze të rrumbullakët për reformën zgjedhore. „Kjo është gjë e mirë, por nuk mjafton“, tha deputeti kristiandemokrat. Fjalë të ashpra lëshoi eksperti i Evropës Juglindore sidomos për vendimin e gjyqit të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, i cili u dënua vetëm për keqpërdorim detyre dhe shumë më pak se çfarë kishte kërkuar prokuroria. „Nuk gënjehemi me këto dhe kërkojmë dënime zyrtarësh të lartë“, tha Beyer.

Në fakt, në mbledhjen e së martës së CDU/CSU-së kishte pasur debate emocionale dhe të gjata, siç i raportuan disa pjesëmarrës DW. Gati një ore e gjysmë kishin diskutuar deputetët konservatorë vetëm për Shqipërinë, imazhi i së cilës lë shumë për të dëshiruar, sidomos përsa i përket përfshirjes së shqiptarëve në struktura të krimit të organizuar. Por, në fund të debatit, edhe shumë prej skeptikëve dhe kundërshtarëve të çeljes së negociatave me Shqipërinë, si Gunther Krichbaum, iu bashkuan qëndrimit të kancelares dhe qeverisë së saj. Në votimin nominal të së enjtes në plenum, CDU/CSU pati vetëm 6 vota kundër Shqipërisë dhe 5 abstenime.

AfD, liberalët dhe Die Linke kundër

Ndërsa deputetët e SPD-së dhe Të Gjelbrit që ishin të pranishëm votuan të gjithë pro. Grupi parlamentar i AfD-së pati një abstenim, dhe të gjitha votat e tjera (76) kundër.

Siegbert Droese, nga kjo parti, tha se „për momentin nuk ka asnjë vend të Ballkanit Perëndimor që të jetë gati për anëtarësim“. Droese e lidhi argumentin e tij me qëndrimin hezitues të presidentit francez Macron, i cili mendon që në vend të anëtarësimit t’iu ofrojë këtyre vendeve një afrim, përsa kohë që nuk është konsoliduar Bashkimi Evropian.

Liberalët e FDP-së e ndanë votën e tyre: “Po” për Maqedoninë e Veriut dhe thuajse njëzëri “jo” për Shqipërinë. Vetëm një deputet liberal i dha Shqipërisë votën pro. Me një rezolutë të vetën, partia opozitare propozoi që negociatat me Shqipërinë të çelen vetëm atëherë, kur të jenë bërë përparime efektive në prioritetet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Edhe kjo rezolutë u refuzua nga shumica e deputetëve.

Edhe e E Majta, e cila kishte qenë e dyzuar para votimit, vendosi te votonte thuajse njëzëri (1 abstenim) kundër çeljes së negociatave, por jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë e Veriut.

Datë për Maqedoninë

Në rezolutën për Maqedoninë e Veriut grupet parlamentare të koalicionit, ndër të tjera kërkojnë që të garantohet vazhdimi i kursit reformues dhe zbatimi i reformave të miratuara nga Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu rezoluta kërkon që të bëhet e qartë se “Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të bëjë përpjekje të konsiderueshme shtesë për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, përfshirë edhe të drejtat themelore dhe efikasitetin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e institucioneve dhe për forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”

Planet e veprimit të propozuara nga Komisioni Evropian duhet të përmbajnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave duhet të jetë një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj, thuhet në rezolutë. Ndër të tjera “Bundestagu ruan të drejtën të përdorë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar nëse konstaton se kushtet për hapjen e kapitujve negociues nuk janë përmbushur.”

Kushte për Shqipërinë

Në të kundërt, në rezolutën për Shqipërinë kërkohej që qeveria gjermane t’i miratonte negociatat e pranimit me Shqipërinë në Këshillin Evropian, më 17 dhe 18 Tetor 2019, vetëm me kusht që konferenca e parë e pranimit të zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë konstatuar plotësimin e dy kushteve:

funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe pajisja e tyre me numrin e duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
miratimi i ligjit të ri zgjedhor dhe garantimi i një financimi transparent të partive dhe fushatave elektorale.
Ndërsa kështu, sipas rezolutës, konferenca e dytë, gjegjësisht hapja e kapitullit të parë, mund të ndodhë vetëm kur të jenë plotësuar shtatë kushte të tjera:

1) implementimi i reformës zgjedhore;

2) hapja e ndjekjeve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që nga Vetting-u janë akuzuar për vepra të dënueshme penalisht;

3) çelja e procedimeve nga prokuroria, dhe eventualisht nga gjykatat, kundër personave që kanë pasur lidhje me shitblerjen e votave;

4) përparime solide në luftimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe zyrtarë dhe politikanë të lartë. Këtu hyjnë hetime proaktive gjegjësisht ndjekje penale dhe dënime për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

5) Funksionimi i strukturës së posaçme antikorrupsion (SPAK)

6) Përparime në reformën zgjedhore, duke përfshirë edhe verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke pasur parasysh edhe akuzat për parregullsi.

7) Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019; në rast se zgjedhjet duhet të përsëriten, atëherë ato duhet të mbahen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.

Artikulli paraprakINFO PLUS – 27/09/2019
Artikulli tjetërMETA MESAZH TË FORTË: NDALIMI I SHPOPULLIMIT TË SHQIPËRISË, SFIDA MË E MADHE QË KËRKON REFLEKTIM URGJENT