Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se sot nis formatimi i forumeve statutore të partisë, duke i dhënë një hov të ri aksionit politik, që për shumë gjatë u largua nga detyra parësore, ajo e të qenit në shërbim qytetarëve, të Shqipërisë e të demokratëve.
“Ne e dimë që në asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia që na mban në politikë,madej kemi sakrifikuar të gjithë bashkë për të mbrojtur me përgjegjësi vlerat të përbashkëta
Por kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes, ne të gjithë humbasim, siç humbëm një kohë të çmuar duke u marr me probleme që nuk kishin lidhje me ato që shqetësojnë qytetarët, por problemet personale të pak politikanëve, që për të mbuluar të keqen e tyre, janë gati të shkatërrojnë të mirën e përbashkët”, tha Basha.
Ai theksoi se për të ndërtuar të ardhmen ne duhet të rindërtojmë partinë tone.
“Njerëzit kanë nevojë urgjente që opozita të kujdeset për shqetësimet e tyre.
Sot formatojmë forumet statutore të partisë. Secili që bëhet pjesë e forumeve të përtërira të partisë duhet ta shohë këtë si një mundësi dhe njëherësh si një sprovë të angazhimit, si test të vizionit se si duhet që ta drejtojmë aksionin politik të PD.
Sepse, për të ndërtuar të ardhmen para së gjithash ne duhet të rindërtojmë partinë tonë, duke mbyllur një cikël të stërzgjatur intrigash, përplasjesh, bërrylash dhe keqkuptimesh.
Që kjo të ndodhë, unë dhe forumet drejtuese duhet të bëjmë gjithçka që të tejkalohet kriza, përçarja dhe konfuzioni që ka përfshirë anëtarësinë, si dhe një pjesë të konsiderueshme të elitës politike opozitare.
Kjo ka bërë që shumë individualitete dhe kapacitete politike, që janë pasuri e PD, që janë pasuri e shoqërisë, të mos jenë sot aktivë”, tha kreu i PD.
Ai tha se ne do të jemi të hapur, do të jemi ftues, do të jemi përfshirës për ata që i bashkohen betejës tonë politike, për ata që mbartin ide, për ata që e pasurojnë aksionin politik opozitar, dhe për ata që e zgjerojnë përfaqësimin tonë politik.
“Forumet mbeten funksione të ngurta po nuk përthithën ide, vlera, aksion dhe përfaqësim.
Ndaj dhe ndërtimi i ekipeve drejtuese është një proces i hapur dhe i vazhdueshëm, që nuk ngjizet vetëm përmes zbatimit të funksioneve që secili prej nesh kryen, por përmes frymës së skuadrës që mbizotëron mes nesh, ku harmonizohen ambiciet legjitime të gjithsecilit, por me vetëdijen se asgjë e përveçme nuk arrihet, pa çuar përpara vizionin e përbashkët dhe misionin e madh me të cilën na kanë ngarkuar demokratët.
Ne do t’u shtrijmë dorën profesionistëve, intelektualëve, sipërmarrësve, pedagogëve, të rinjve e të rejave, nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga diaspora, për të dhënë bashkë me ne kontributin e tyre për të normalizuar politikën, për ta bërë atë sa më përfshirëse dhe njerëzore, duke ndërtuar një urë shprese dhe besimi nga e sotmja drejt të nesërmes.
Ky është përkushtimi ynë para të gjithë shqiptarëve. Një parti Parti Demokratike që do t’u shërbejë interesave të njerëzve të cilët kanë nevojë urgjente për një opozitë që kujdeset për ta, për shqetësimet e tyre”, deklaroi Basha.