Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët me rastin e Kurban Bajramit.

Ai tha se kjo është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.Spahiu uroi që Zoti të japë begati e mirësi për kombin tonë, si dhe paqe për të gjithë besimtarët në mbarë botën.

Urimi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër
Nesër, me lejen e Zotit, do të festojmë Kurban Bajramin.
Festën që simbolizon sakrificën dhe bindjen e njeriut ndaj Zotit dhe mëshirën e pamatë që krijuesi ka për krijesën tij më të lartë, që është njeriu.
Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.

Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.

Të dashur motra dhe vëllezër,
Kurban Bajrami është festë edhe për haxhinjtë.
Miliona besimtarëve nga e gjithë bota, të cilët po kryejnë Haxhin, u janë bashkuar qindra besimtarë nga Shqipëria, e ne lutemi që atyre t’u pranohet haxhi e të kthehen të gjithë të falur e të pastruar nga mëkatet.
Të dashur shqiptarë,

Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit,

Paçi gëzime në familjet tuaja,
Zoti i madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë,
Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën

Artikulli paraprak“HERA E PARË NË JETË QE UROJ TË MOS FITOJE ITALIA, I LUMTUR ME BARAZIMIN”, KRYEMINISTRI RAMA: TE SHQIPËRIA DO DËSHIROJA DONARUMËN
Artikulli tjetër“DITA KULTURORE E SELITËS”, FESTË NË VENDLINDJE