Kurbin/Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e një tjetër shtetasi përgjegjës për një tjetër rast zjarrvënieje.

Shërbimet e policisë, pas njoftimit të marrë se në një zonë malore në lagjen nr.4 në Laç, kishte rënë zjarr i cili kishte marrë përmasa duke rrezikuar edhe banesat përreth, menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje për tu angazhuar me qëllim fikjen e tij si dhe për të kryer veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut.

Si rezultat i veprimeve të shpejta e profesionale hetimore të kryera, ka rezultuar se shkaku i rënies së zjarrit ishte djegia e disa mbeturinave nga shtetasi V. H. 41 vjeç, zjarr i cili duke u favorizuar nga kushtet atmosferike, ka marrë përmasa duke djegur një sipërfaqe masive me bimësi si dhe duke rrezikuar edhe banesat përreth.

Shtetasi V. H. u arrestua në flagrancë.

Në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera përgjegjëse, me qëllim fikjen e zjarrit, janë angazhuar shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, forcat “Shqiponja” si dhe 4 grupe nga FNSH të ardhur në mbështetje. Në krye të këtyre shërbimeve policore të angazhuara, në vendin e ngjarjes, ndodhet edhe Drejtori Vendor i Policisë Lezhë Drejtues Alfred Elezi.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Artikulli paraprakZJARRI NË LAÇ, BALLA: KEMI NJË NDËR SITUATAT MË TË VËSHTIRA GJATË KËTIJ VITI! ARRESTUAM NJËRIN NGA AUTORËT
Artikulli tjetër‘JAM KUNDËR RAMËS, POR PËR BELERIN KA TË DREJTË’, BERISHA REPLIKON ME KOMENTUESIN