Kreu i PD, Lulzim Basha ka kujtuar deklaratën kushtetuese të Kosovës e cila u firmos si sot para 30 vjetësh.
Basha thotë se nuk ka për ta harruar kurrë ditën kur u miratua deklarata, dhe me çfarë gëzimi dhe emocioni e priti familja e tij, i cili zbulon se gjysma e të cilës u detyrua të largohej nga Peja e Drenica para një shekulli prej dhunës e terrorit.
Sipas Bashës, ajo deklaratë kushtetuese nga burrat e gratë e Kuvendit të Kosovës shënoi kthesën e madhe dhe hapin e parë drejt pavarësisë.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është gurthemeli i shtetit të Kosovës.
2 korriku i 1990 shënoi forcimin dhe bashkimin e të gjjthë faktorëve shqiptarë në Kosovë, nën drejtimin e Ibrahim Rugoves, për një qëllim të madh, Kosovën e Pavarur.
30 vjet më parë, gratë dhe burrat e Kuvendit të Kosovës rindezën pishtarin e lirisë dhe shënuan kthesën e madhe në historinë e Kosovës. Një ditë e madhe, një ditë e bekuar për shqiptarët në të dyja anët e kufirit.
Kurrë nuk kam për ta harruar me çfarë gëzimi dhe emocioni është pritur ai vendim në familjen time, gjysma e së cilës u detyrua të largohej nga Peja dhe Drenica para një shekulli si pasojë e dhunës dhe terrorit.
Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për Republikë dhe Pavarësi dhe kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008.
Kosova ka ditur ndër shekuj të tregojë guxim, forcë e largpamësi përballë sfidave të shumta që ka kaluar në historinë e saj.
Jam i bindur se me të njëjtën kurajo dhe maturi të bazuar në shembuj të jashtëzakonshëm burrash e grash që ia dedikuan jetën lirisë dhe pavarësisë, Kosova do të ecë e vendosur dhe e sigurtë drejt ndërtimit të një shteti të fortë demokratik, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian.