Stina e verës ka sjellë një rritje graduale të kërkesës për kurset profesionale pranë Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik.
Të rinjtë janë ata që më së shumti interesohen për një trajnim të tillë, i cili zgjat mbi 4 muaj. Pas përfundimit të orëve, kursantët gjurmohen nëse në vazhdimësi regjistrohen si të punësuar. Drejtoria rajonale ka regjistruar shumë raste të tilla, por ka edhe nga ata që aftësitë profesionale i ushtrojnë jashtë vendit.
Thirrjet për kurset profesionale publike kanë qenë të vazhdueshme gjatë 2 viteve të fundit. Kurset e elektricistëve, të hidraulikut, montimit të paneleve diellorë, parukerisë, rrobaqepësisë e shumë të tjerë ofrohen pranë Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik. Ndërkohë, qendra e lëvizshme e kurseve profesionale ka në projekt ofrimin e kurseve në Malësi të Madhe dhe Pukë.