residenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar për nesër takime me kryetarët e partive politike nga pozita dhe opozita, pra edhe me liderin e LVV-së njëherësh edhe kryeministrin Albin Kurti, por ky i fundit nuk e ka përfshirë në agjendën e tij këtë takim .
Takimi me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së është paralajmëruar në ora 13:00, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror.
Mirëpo, në agjendën e kryeministrit Kurtit për ditën e nesërme nuk është paraparë ky takim.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se nesër pret në takim Dale Pfeiffer, themeluesin e Fondit Amerikan të Edukimit në Kosovë (KAEF), si dhe do të marrë pjesë në seancën për Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe në Shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.
Gjithashtu, ka paralajmëruar edhe një takim me bordin e organizatës joqeveritare GERMIN.
Përveç me Kurtin, presidenti Thaçi ka paralajmëruar takime me liderin e LDK-së, Isa Mustafën, kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn e AAK-së.
Takimet në Presidencë do të vazhdojnë me Fatmir Limajn – kryetar i NISMA-s dhe Behgjet Pacollin- kryetar i AKR-së.