Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vijon të këmbëngulë se Bashkimi Europian duhet t’i heqë masat që ka vënë ndaj Prishtinës, duke pasur parasysh edhe që kjo e fundit po merr hapa për uljen e tensioneve në veri. Kreu i qeverisë së Kosovës thotë se në fakt Serbia është ajo që nuk po respekton marrëveshjet për të cilat janë dakordësuar. Kurti ka thënë se masat e vendosura kanë qenë racionale dhe të padrejta, duke shtuar se Kosova ka qenë parimore dhe jo kokëfortë në menaxhimin e situatave në vend.
“Nuk e di se kur do të tërhiqen, besoj se duhet të hiqen sa më parë sepse Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide dhe të përkushtuar në dialog, që ka rezultuar me marrëveshjen bazike. Me 27 shkurt ne në Bruksel e kemi realizuar marrëveshjen bazike, që është njohje reciproke de facto. Në marrëveshjen e Ohrit ia bashkëngjitëm edhe një aneks implementimi me 12 pika, por është Beogradi që e ka shkelur këtë. Ne kemi thënë le ta zbatojmë në plotni dhe pa kushte”, ka thënë ai.
Kurti u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me Edi Rama dhe liderin e shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti. Kurti tha se marrëdhëniet janë të mira dhe korrekte, por shprehu keqardhjen për anulimin e mbledhjes mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë që ishte parashikuar të mbahej më datë 14 qershor.
“Ne kemi raporte korrekte, kemi raporte të mira, është çështje e përgjegjësive. Kjo nuk do të thotë që nuk kritikohemi. Besoj që kritikat janë pjesë e demokracisë dhe ato duhet të jenë konstruktive. Është për të ardhur keq që më 14 qershor nuk u mbajt mbledhja e dy qeverive, që u përgatit muaj më parë, por anulimin e saj nuk e kemi bërë ne, përkundrazi ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Është mirë që të mos pritet mbledhja e ardhshme që të nënshkruhen ato marrëveshje, që më në fund u bë nga Tirana zyrtare përveçse nga Prishtina”, tha Kurti.
Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë Bashkimi Europian ka paralajmëruar masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë.