Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut ngjalli debate e kritika e të shumta mes partive politike maqedonase dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë në vend. Faktorët politikë maqedonas e panë si nacionaliste paraqitjen e tij në Tetovë ku teksa i drejtohej me një fjalim mijëra mbështetësve, shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë së Madhe”. I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë zhvillim, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeff Hovenier, përcolli edhe një herë qëndrimin e Washington-it lidhur me këtë çështje, pa u ndalur më shumë tek detaje të tjera të vizitës në vetvete. Qeveria e Kosovës u përgjigjet reagimeve pas vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut
“Mendoj se të gjithë ne i pamë deklaratat publike e për këtë vizitë dhe ngjarjet në Maqedoninë e Veriut që lidhen me ndalesën e Kryeministrit Kurti. Nuk e di nëse është e përshtatshme që unë të flas për specifikat e vizitës. Por kam parë që në komentet publike përcillet shqetësimi mbi idenë e Shqipërisë së Madhe, si diçka që është diskutuar në kontekst të kësaj vizite. Dua ta ritheksoj pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Është shumë e rëndësishme, dhe unë dua ta përcjell të patjetërsuar qëndrimin e administratës amerikane, ta bëj të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin Shqipërinë e Madhe dhe nuk e mbështesim as Serbinë e Madhe”, deklaroi kreu i misionit amerikan në Kosovë.
Hovenier shtoi se SHBA-ja nuk e përkrah rivizatimin e kufijve shtetërorë në rajonin e Ballkanit.
“Çdo përpjekje për të bërë diçka të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese”, u shpreh ai.