Qeveria e Kosovës nis procedurat për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë një vendim gjatë ditës së djeshme për caktimin e një Grupi Punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.
Bashkimi Evropian (BE) e ka thënë haptas që preferon dorëheqjen e kryetarëve si një rrugë më të shpejtë drejt zgjedhjeve të reja. Por, si duket pushteti ka marrë rrugën tjetër: atë që do të bënte largimin e kryetarëve përmes një iniciative qytetare. Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit Elbert Krasniqi ky grup e ka zgjedhur kryesues z. Besim Myrtezani, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin e Flurim Arifin.
Ky grup do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.” Afati që i është dhënë është deri më 1 shtator.