Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim eurodeputetin nga Estonia, Riho Terras, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Kosovë pas emërimit si raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian. Kurti e falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke vënë theksin te përpjekjet për integrim evropian dhe reformat institucionale. Ai e cilësoi Kosovën si një shembull të zhvillimit ekonomik dhe progresit demokratik që ecin paralelisht. Gjatë takimit, kryeministri vuri në pah Planin e Rritjes si instrument kyç për rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit në BE. Ai theksoi arritjet e Qeverisë, përfshirë rritjen e nivelit të zbatimit të agjendës së reformave ERA II në 72%, nga 45% sa ishte në qeveritë e kaluara, si dhe përmirësimin e zbatimit të Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) në 66.12% për vitin 2023.

Në takim u diskutua edhe për sulmin e fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, i cili ndodhi më 29 nëntor. Ky sulm ishte i treti brenda tri ditësh, duke pasuar sulmet në Stacionin e Policisë dhe ndërtesën e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Kryeministri e konsideroi këtë një nga sulmet më serioze ndaj sigurisë kombëtare, krahas sulmit paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë. Hetimet për sulmet janë duke vazhduar dhe indiciet sugjerojnë përfshirjen e aktorëve të jashtëm, duke përfshirë armë dhe uniforma të origjinës serbe dhe ruse të konfiskuara nga autoritetet. Kurti bëri thirrje për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe kërkoi përshpejtimin e pranimit të pyetësorit dhe të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Nga ana tjetër, eurodeputeti Riho Terras falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Artikulli paraprakDENONCIMI PER LISTAT E DETYRUESHME ME VOTUES NGA DIASPORA, REAGON PJERIN NDREU
Artikulli tjetërARTAN GRUBI, POLITIKANI SHQIPTAR NË MAQEDONINË E VERIUT, SHPALLET ‘NON GRATA’ NGA SHBA