Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Millan Radoiçiq ka dhënë urdhrin për kryerje të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit, që ka pasur synim rrezikimin e sigurisë kombëtare. Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës dhe autoriteteve të sigurisë. Sipas tij, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar, atij që e ka quajtur grup terrorist të Millan Radoiçiqit, nuk mund të quhet ndryshe, pos koordinim i shtetit serb me këtë grup, për të intensifikuar luftën hibride kundër Kosovës.

“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”.

Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc.

“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, ka thënë Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Mirëpo, sipas Kurtit, sulmi ka qenë e pamundur të kryhet nga grupi i Radoçiqit, pa e pasur mbrapa shtetin serb.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë, jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike, të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, ka thënë Kurti, duke u zotuar se autoritetet janë të përkushtuara për, siç ka thënë, neutralizim të kësaj metode të mbetur serbe.

Kurti e ka prezantuar një kronologji të 15 sulmeve, që sipas tij, e kanë pasur synim për të dëmtuar Kosovën “në mënyrë terroriste” nga 30 qershori deri më 29 nëntor të këtij viti, dhe që kanë kulmuar me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë. Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Kurti ka thënë se Radoiçiq – që aktualisht besohet se është në Serbi i lirë – ka autorizuar persona për të kryer sulme në Kosovë disa herë gjatë vitit. Millan Radoiçiq është në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi e ka pranuar organizimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. Si pasojë e këtij sulmi, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Serbia, në anën, tjetër, hedh poshtë këto akuza. Mes tjerash, Kurti ka thënë se refuzimi i Beogradit për ta dorëzuar Radoiçiqin, ka qenë inkurajim për grupin i prin Radoiçiqi, për të vazhduar me akte tjera “kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës”. Për autoritetet e Kosovës, sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99. Sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë ditë më parë se agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) janë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë, në hetimet për të gjetur fajtorët mbrapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Artikulli paraprakBASHA URON SHQIPTARËT PËR KRISHTLINDJE: ZOTI NA UDHËHEQTË DREJT SË NESËRMES MË TË MIRË
Artikulli tjetërTËRMETI SHKUND EDHE QIPRON, FORCA 4.3 BALLË, S’KA RAPORTIME PËR TË LËNDUAR