Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar ndaj Serbisë pasi ndaloi pjesëmarrjen e boksierëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd.

Përmes një shkrimi në Twitter, Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë veprimin diskriminues të Beogradit.

“Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi. Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave ndërkombëtare të sportit. I bëj thirrje BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare ta dënuar këtë shkelje dhe veprim diskriminues”, shkruan Kurti.

Boksierët kosovarë ishte planifikuar të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që ka nisur në kryeqytetin serb, por Serbia e pengoi shkuarjen e tyre në fundjavë për shkak të simboleve shtetërore.

Ditë më parë, Asociacioni Botëror i Boksit tha se Kosova është anëtare fuqiplotë e tij dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.

Lidhur me këtë zëdhënësi i BE-së Peter Stano deklaroi se BE-ja mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, e kritikoi mungesën e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Serbisë.

Çeku paralajmëroi se gjatë kësaj jave Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve sportive paralele serbe.

Artikulli paraprakPRINCESHA MARTOHET ME TË DASHURIN E ZAKONSHËM DHE HUMB STATUSIN MBRETËROR
Artikulli tjetërHUMB JETËN FËMIJA 5 VJEÇ NGA COVID, KISHTE SËMUNDJE BASHKËSHOQËRUESE