Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se, punësimi dhe drejtësia janë prioritete të qeverisë, ndërsa dialogu nuk ka qenë as në 3 prioritetet e para të qeverisjes së tij. Në një intervistë, i pari i qeverisë së Kosovës tha se marrëveshja nuk është më e mira për Kosovën, por është mundësi për të ecur përpara.

“Nuk bëhet fjalë për një marrëveshje që ta ulë tavanin, por që ta forcon dyshemenë. Për dallim prej para dhjetë viteve kësaj radhe Serbia refuzoi ta nënshkruajë atë”, shpjegoi Kurti. Ai shtoi se, pavarësisht që nuk ka nënshkrim të marrëveshjes, ka pranim të saj dhe, sipas tij, janë dëshmitarë të gjithë vendet e BE-së: “Serbia, duke mos nënshkruar, nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen”. Kurti tha se ka qenë gjithmonë konstruktiv dhe në këtë marrëveshje të fundit ka barazi mes palëve:

“Unë gjithmonë kërkojë më shumë se që na është ofruar sepse mendoj se meritojmë më shumë, por besoj se me këtë marrëveshje mund të ecim përpara”.

“Ne jemi e vetmja palë kreative që kemi bërë propozime por që janë edhe konfidenciale, por tashmë pala tjetër heziton pasi që e di se kjo është njohje de-facto”, shtoi ai.
Sipas Kurtit, të dy marrëveshjet e fundit tregojnë barazi mes palëve. Ai pranoi se në marrëveshje ka edhe Asociacion.

“Në marrëveshje ka Asociacion. Neni 10 e thotë se të dy palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e kaluara që janë të obligueshme. Pra, janë 39 marrëveshje që duhet të zbatohen. Ta zëmë po i përmendi dy prej tyre, marrëveshja për kthimin e librave kadestralë, që nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite, është marrëveshja numër 5 në rendin kronologjik. Ndërkaq ajo marrëveshja e parë e parimeve, ku 6 pikat e para janë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është marrëveshja e 16-të, e cila në muajin që vjen i mbush 10 vjet”, tha Kurti.

Artikulli paraprakOKB: NJË E KATËRTA E POPULLSISË SË BOTËS PA UJË TË PIJSHËM TË SIGURT
Artikulli tjetërSTAR KIDS – ALDO NIKA