I nominuari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një bisedë për të përditshmen serbe Danas, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, në zgjedhjet parlamentare po përpiqet të kompensojë mungesën e legjitimitetit qytetar “nga poshtë” dhe legjitimitetin ndërkombëtar “nga lartë”. Krejt kjo, sipas Kurtit, pas debaklit që ka pësuar ish-partia e tij – PDK..

Themeluesi dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, duke komentuar takimin e djeshëm joformal të Presidentit të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini tha se që të dy nuk përfaqësojnë shtetet e tyre, por interesat e vëllezërve të tyre, për të cilët thotë se janë bërë milionerë “Kush e di, ndoshta në margjinat e takimit me Vuçiq në Bruksel, asnjëri nuk e përfaqësojnë Kosovën dhe Serbinë por vëllezërit e tyre, të cilët janë bërë pasanikë të mafisë së Ballkanit, dhe kështu mund ta formojnë një bashkëpunim të ri”, ka theksuar Kurti, shkruan Periskopi.

“Danas” pyet Kurtin: Disa media në Prishtinë pohojnë se u arrit marrëveshje për formimin e një qeverie të re dhe se Ramush Haradinaj do të jetë kryeministri i ri. A janë këto pretendime të vërteta? Kurti: Së pari, kjo do të jetë një vazhdim i regjimit të vjetër kundër vullnetit të popullit të Kosovës, të cilët votuan për ndryshim. Së dyti në qoftë se shumica e re parlamentare varet direkt nga Lista Serbe dhe Vuçiq atëherë kjo qeveri do të t’i ketë dy qytetet kryesore, Prishtinën dhe Beogradin si dhe pastaj Kosova do të jetë në një krizë të pabesueshme politike të paparë që nga periudha e pasluftës. Lëvizja Vetëvendosje është tashmë partia më e madhe politike në Kosovë.

Ne besojmë se kjo shpresë e madhe e qytetarëve, pas kthimit të kurajos duhet të kurorëzohet jo vetëm me një parlament të ri, por edhe me qeveri të re të udhëhequr nga Vetëvendosje, si parti social demokrate. I pyetur se me cilat parti politike është e gatshme Lëvizja Vetëvendosje të formojë koalicion qeverisës, Kurti u përgjigj: “Në radhë të parë ne do të diskutojmë me partitë e koalicionit të përbërë nga LDK dhe AKR”. Ndërsa, në lidhjen me “Listën Serbe”, Albin Kurti tha se “për fat të keq, Lista Serbe është krahu i zgjatur i autoriteteve të Serbisë.

Ajo është e angazhuar për interesat e Beogradit, si dhe është deformim i vullnetit të serbëve të Kosovës. Serbët nga Kosova duhet të përfaqësojnë vetveten. Ata kanë të drejtë për një jetë të denjë në Republikën e Kosovës. Dialogu i hapur dhe demokratik me ta do të jetë prioriteti ynë. Gjithashtu kemi nevojë për integrim social të komuniteteve pakicë përmes zhvillimit dhe barazisë dhe integrimit jo vetëm institucional.” Kurti mendon se dialogu i deritashëm me Beogradin në Bruksel nuk ka vënë asnjë kusht për Serbinë, “por është biseduar për punë të brendshme të Kosovës”.

“Prandaj, rezultati s’ka mundur të jetë i drejtë. Përse atëherë s’kanë biseduar edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvexhën: Në parim, nuk jemi kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa parime, i cili Kosovën e ka kthyer në një temë agjendën e së cilës e cakton Serbia”, ka deklaruar ai.

Artikulli paraprakPANAIRI I AUTOMJETEVE GUMBALL 3000
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT, E MËRKURË 5 KORRIK 2017