Ferdinando Muollo, 56 vjeçari italian i cili rezultonte i dënuar si pjesë e klaneve të Camorra dhe porositës i një vrasjeje në vendin fqinj, në Shqipëri kishte marrë leje qëndrimi dhe madje kishte hapur biznese.
Ai ka jetuar i qetë në Durrës dhe ka hapur tre shoqëri tregtare duke sfiduar edhe autoritetet në maskën e një dentisti, deri kur prokuroria e Napolit u ka kërkuar agjensive shqiptare të gjejnë ish-kamorristin.
Muollo ka qenë nën hetim për 18 muaj, kohë gjatë të cilës policia dhe prokuroria e Durrësit thonë se kanë identifikuar atë, dhe pronat e tij të dyshuara se janë përfituar me veprimtari kriminale.
Më 29 tetor, Gjykata e Durrësit ka miratuar vënien nën sekuestro preventive të pasurive që në total përllogariten në përllogaritet 750 000 euro.
“Nga puna gjurmuese policore dhe hetimet proaktive prej afro 18 muajsh, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit policor “Dentisti”,
strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Durrësit, gjatë operacionit policor “Dentisti”, arritën identifikimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur paraprakisht 750 000 euro.
Pasuritë janë të shtetasit Italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe si porositës i një vrasjeje” informon policia e shtetit.
PASURITË E SEKUESTRUARA
5 apartamente në Durrës
13 garazhe në Durrës
1 automjet 40 000 Euro
10 000 euro llogari bankare
Aktiviteti tregtar
Ish-mafiozi italian, sipas hetimit ka filluar investimet në Shqipëri në vitin 2012 me një shoqëri me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare në Tiranë, ku ka pasur 50 % të aksioneve.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku ka 45 % të kuotave.
Dhe në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku ka 30 % të kuotave.
Ferdinando Muollo pritet të ekstradohet më tej drejt Italisë për të vuajtur dënimin prej 8 vitesh burg.