Kush ishin martirët shqiptarë të vendosur në këtë proces?

 

Procesi përmbante 38 martirë, edhe pse numri i personave të vrarë nga regjimi është padyshim shumë më i lartë.

 

Emrat e tyre janë:

 

Imzot Vinçenc Prennushi –  Françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt më 19 mars 1949 në birucë të burgut.

 

Imzot Frano Gjini –  ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave se nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

 

 Imzot Jul Bonati-  Meshtari i madh intelektual, si u mbyll për torturë në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit.

 

 Dom Alfons Tracki – Prifti gjerman, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

 

Dom Anton Muzaj –  U torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm se nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme pas pak ditësh, në moshën 29-vjeçare.

 

 Dom Anton Zogaj –  Famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjë të qelbur, ndërsa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-s.

 

Dom Dedë Maçaj –  I akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare në moshën 27 vjeç.

 

Dom Dedë Malaj-  Mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

 

 Dom Dedë Plani –  Dha shpirt në spital më 30 prill 1949, pasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

 

Dom Ejëll Deda –  Famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm se ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, pas torturash çnjerëzore.

 

 Dom Jak Bushati –  e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

 

Papa Josif Mihali –  Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

 

Dom Zef Maksen –  meshtar gjerman, pushkatuar më 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”.

 

Dom Lazër Shantoja –  meshtar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës. Ishte 54 vjeç.

 

Dom Lekë Sirdani-  personalitet i shquar i kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

 

Dom Luigj Prendushi –  u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun I Vatikanit më 24 janar 1947.

 

Dom Marin Shkurti –  i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

 

Dom Mark Gjani – U arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, më 1945-n.

 

Dom Mikel Beltoja-  U  pushkatua më 10 shkurt 1974, pasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

 

Dom Ndoc Suma –  Vdiq dy vjet pasi ishte liruar, i shkatërruar nga burgu ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

 

Dom Ndre Zadeja –  Prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë viktimë e diktaturës komuniste.

 

Dom Pjetër Çuni –  Prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

 

 

 

Dom Shtjefën Kurti –  Prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit.Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë furrat e bukës.

 

Atë Bernardin Palaj -Frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni I letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e I harruar.

 

 Atë Çiprian Nika –  Françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në altarin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

 

 

Atë Gaspër Suma –  Rregulltar, pinjoll i një familjeje që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947-n dhe vdiq në burg.

 

Atë Gjon Shllaku – Frati i madh filozof, u pushkatua së bashku me jezuitët

 

Atë Gjovani Fausti  – (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

 

 Atë Karl Serreqi –  frati që nuk pranoi të kallëzojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

 

Atë Mati Prendushi –  Frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga Mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

 

Atë Serafin Koda –  Frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

 

Vëlla Gjon Pantalia –  Jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, pasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

 

Fran Miraka,  Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë se deshën Krishtin.

 

Maria Tuci –  U torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Artikulli paraprakSI U BË MAQEDONIA QENDËR GLOBALE E KEQINFORMIMIT PRO TRUMP
Artikulli tjetërPO KREMTOHET MESHA SOLEMNE PËR LUMTURIMIN E 38 MARTIRËVE