Nënkomisari Simon Gjeta, efektivi 49-vjeçar i FNSH-së që humbi jetën në krye të detyrës teksa ishte në një operacion për arrestimin e një personi të akuzuar për plagosje, është futur në radhët e policisë në 20 dhjetor të vitit 1997 në komisariatin e Policisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Kurbin.
Gjatë viteve ’97 deri më 30 qershor të 2007-ës, Gjeta ka shërbyer në strukturat e forcave të ndërhyrjes së Shpejtë, Kurbin dhe Tiranë. Nënkomisari është transferuar në repartin e FNSH Shkodër me një vendim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi. Nisur nga kjo situatë ai për të mbajtur vendin e punës, u detyrua të marrë një shtëpi me qira në Shkodër, në lagjen “Mark Lula”.
Në 30 qershor të 2007-ës, Gjetës iu shkëputën marrëdhëniet e punës me motivacionin “shkurtim funksioni” dhe u ripranua në vitin 2012 në Policinë e Shtetit. Nga dhjetorit i 2012 deri më shkurt të 2013-ës, Gjeta ka shërbyer në sektorin e hetimit të krimeve dhe të sigurisë publike në Komisariatin e Policisë Fier.
Nga 20 shkurti i vitit 2013 deri në 3 tetor të 2015-ës kur ra në detyrë, Gjeta ka shërbyer në detyrën e specialistit të taktikës në seksionin e operacioneve dhe trajnimit në Komisariatin e Policisë Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër.
Simon Gjeta është me origjinë nga Mirdita. Ai ishte diplomuar në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe më tej ishte angazhuar në radhët e Policisë së Shtetit, duke u bërë pjesë e efektivave të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Shokët e tij e kujtojnë, Simonin shumë të rregullt në punë dhe në familje.
Nënkomisar Simon Gjon Gjeta, si pjesëtar i forcave të ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Shtetit, ka marrë pjesë në disa operacione për vendosjen e rendit dhe sigurisë publike, duke u përballur me elementë kriminelë, të një rrezikshmërie shumë të lartë.