Konferenca e Kryetarëve ka përfshirë në axhendën e Kuvendit projektligjin për ndëshkimin deri në 10 vite burg të burrave që dhunojnë apo u bëjnë presion psikologjik gruas, anëtarëve të tjerë të familjes, ish-bashkëshortes, bashkëjetueses, ish bashkëjetueses, personave të afërt apo në lidhje krushqie, të dashurës apo një personi që kanë pasur më parë lidhje intime.
Nisa ndryshon Kodin Penal dhe është propozuar nga dy deputetet e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, për t’iu përgjigjur situatës emergjente të dhunës dhe vrasjes së grave nga burrat. Konferenca e Kryetarëve ka miratuar axhendën e punës së Kuvendit për periudhën 2 mars – 17 prill 2020, duke përfshirë edhe propozimin në fjalë.
Nisma ligjore do të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve për t’u miratuar më pas në Kuvend.
Me miratimin e këtyre ndryshimeve, burrat që rrahin gruan në sy të fëmijëve si dhe burrat që ushtrojnë dhunë në mënyrë të përsëritur do të dënohen më shumë se sa një anëtar i një organizate kriminale apo se sa një drejtues i një grupi të strukturuar kriminal. Ata rrezikojnë të dënohen aq sa dënohet një anëtar i një bande të armatosur.
Ndryshimet parashikojnë që kushdo që ushtron dhunë në familje në sy të fëmijëve do të dënohet nga dy deri në 10 vjet burgim.
Ndërkaq, pjesëmarrja në një organizatë kriminale apo krijimi i një grupi të strukturuar kriminal dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet. Ndërsa pjesëmarrja në bandën e armatosur, sipas nenit 234/b të Kodit Penal, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Një dënim të tillë maksimal rrezikon jo vetëm personi që ushtron dhunë në familje në sy të fëmijëve, por edhe personat, kryesisht burrat, që janë ndëshkuar më parë për dhunë në familje, pra që janë përsëritës. I njëjti ndëshkim parashikohet edhe për dhunën seksuale dhe psiko emocionale.
Ndërsa, personat që ushtrojnë dhunë për herë të parë do të dënohen nga një deri në pesë vjet. Nisma ndryshon nenin 130/a të Kodi Penal. Kodi në fuqi nuk vendoste një kufi minimal dënimi për dhunuesit në familje, duke krijuar hapësira për t’i shpëtuar ndëshkimit.