Për shekuj me radhë, të huajt janë paralajmëruar të mos vendosin këmbën në Ishullin e Sentinelit të Veriut, sepse kjo do të thotë vdekje e pothuajse e sigurtë në duart e një fisi të izolur nga bota.

Sentinelezët ishin një nga fiset më misterioze në botë, para se të vrisnin misionarin amerikan John Allen Chau, që po përpiqej t’i kontaktonte dhe përhapte fenë e tij të krishterë.

Por shumë pak dihet për fisin e izoluar, pasi ata vrasin e gjuajnë me shigjeta këdo që afrohet aty me anije. Madje përpiqen të sulmojnë edhe aeroplanët që fluturojnë ulët ose helikopterë në misionet e zbulimit.

Ata jetojnë në izolim të plotë dhe mendohet të kenë emigruar aty rreth 50.000 vite më parë.

Sentinelezët, që konsiderohen pjesë e fisit të fundit para neolitit, kanë hedhur poshtë civilizimin modern dhe nuk kanë kontakt me botën e jashtme.

Ekzistojnë pak fotografi ose video, dhe as nuk dihet se si e quajnë veten.

Megjithatë, një gjë është e sigurt. Reputacioni i tyre është i frikshëm.

Ata kanë vrarë çdo të jashtëm që iu është afruar ishullit indian. Në vitin 2006, fisi vrau dy burra që peshkonin ilegalisht në ujërat e Gjirit të Bengalit.

Sentinelezët përdorin shtiza, harqe dhe shigjeta për të gjuajtur kafshët në ishullin e vogël të pyllëzuar dhe mbledhin bimë e pemë për të ngrënë dhe ndërtuar shtëpi.

Fqinjët e tyre më të afërt jetojnë më shumë se 50 kilometra larg.

“Sentinelezët duan të qëndrojnë vetëm,”-tha antropologu Anup Kapur.

Dijetarët besojnë se ata emigruan nga Afrika afërsisht 50.000 vjet më parë, por shumica e detajeve të jetës së tyre mbeten plotësisht të panjohura.

“Ne as që e dimë se sa banorë ndodhen atje,”-tha Anvita Abbi, e cila ka kaluar dekada duke studiuar gjuhët fisnore të ishujve Andamane dhe Nicobar të Indisë. “Nuk e dimë se çfarë gjuhe flasin, sa e vjetër është gjuha e tyre. Askush nuk ka qasje në këtë informacion. Pse duhet të shqetësojmë një fis që ka jetuar vetëm për dhjetra mijëra vjet.”

India ka ndaluar me ligj çdo njeri që ti afrohet ishullit.

Çdo kontakt me fisin e izoluar mund të jetë i rrezikshme, thonë dijetarët, pasi banorët e ishullin nuk kanë rezistencë ndaj sëmundjeve që kanë të huajt.

Artikulli paraprakFAKTE “INTRIGUESE” PËR DITËN E FALENDERIMEVE
Artikulli tjetërPROTESTA PËR UNAZËN E RE, BASHA: PROJEKTI PA LEJE NDËRTIMI, U BË ME NXITIM PËR TË VJEDHUR 40 MLN EURO