Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si fillim të mbarë vendimin e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit që shkarkoi nga detyra e gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.

“Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort vettingun, sot duhet të ndjehen mirë, sepse nisja është e mbarë. Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën vettingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se vendimi i parë i KPK-së “garanton ecurinë përpara të procesit të Vettingut si dhe rikthen besimin tek qytetarët për pastrimin e sistemit të drejtësisë”.

Por ky vendim i vettingut e lë Gjykatën Kushtetuese me 5 anëtarë dhe plotësimi i tre vakancave të tjera është i ngrirë, pasi Kuvendi dhe Presidenca kanë mbledhur kandidaturat, por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që i shqyrton dhe vlerëson kandidatët, nuk po vepron.

Për këtë çështje, të paktën Partia Socialiste ka thënë publikisht se KED nuk duhet të veprojë përpara se të kalojnë vettingut edhe anëtarët e saj.
Në ditën kur Kushtetuesja humbi dhe anëtarin tjetër, dy partitë e mëdha nuk komentojnë se si duhet të zgjidhet ky kolaps i gjykatës më të rëndësishme në vend.

“Sot jemi këtu për reformën zgjedhore dhe kemi mbledhje për këtë. Ju faleminderit”,-tha Bledi Çuçi.

LSI e pranon kolapsin, i ka gati dhe emrat e fajtorëve, por nuk ka një zgjidhje konkrete se si duhet zgjidhur çështja.

“Kolapsi është jo vetëm në Gjykatën Kushtetuese por edhe në atë të Lartë. Gjendja është skandaloze, fajtore është mazhoranca pikë së pari. Është gabim argumenti se vettingu po pengon proceset e plotësimit të vakancave. LSI i qëndron fort faktit se asnjë zyrtar i drejtësisë nuk mund të marrë funksionin pa kaluar në filtrin e vettingut”.

Tashmë pikëpyetja ngelet se si do të veprojë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Si do ta lexojë ajo Kushtetutën, do të presë që të kalojë vetë vettingun që mund të zgjasë disa muaj, apo do të nisë shqyrtimin e kandidatëve për të paktën tre vakanca të Gjykatës Kushtetuese? Aktualisht nuk ka asnjë qëndrim prej KED-së.

Artikulli paraprakI DËNUAR PËR VRASJEN E DY POLICËVE MË 1999, GJYKATA KUSHTETUESE PRANON ANKIMIN E DRITAN REXHEPIT
Artikulli tjetërZJARR NË AFËRSI TË ISH-DEGËS NË SHKODËR