Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin e Vettingut. Vendimi paraprak është dhënë në dhomën e këshillimit.
Ligji i Vettingut u ankimua nga Partia Demokratike disa ditë më parë, të cilët kërkuan pezullimin dhe shpalljen antikushtetues të ligjit. Por vendimi i Gjykatës e “ngrin” ligjin, ndërsa në vjim do të shqyrtohet edhe kërkesa e dytë e PD, atë për kushtetutshmërinë e ligjit. Pas marrjes së vendimit për pezullimin e Vettingut, Gjykata Kushtetuese do t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion përfundimtar, nëse kjo gjykatë mund ta shqyrtojë këtë ligj duke qenë se gjyqtarët e saj preken nga Vettingu. Kërkesa e dytë e demokratëve, për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende, është shpallja e këtij ligji si anti kushtetuese. Ligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës seancën e posaçme të 30 gushtit, ndërsa u kalua në heshtje nga Presidenti Nishani. Vettingu është ligji kryesor i reformës në drejtësi, i cili ve në funksion zbatimin e reformës, duke spastruar sistemin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Vettingu hyri në fuqi në 8 tetor dhe brenda 30 ditëve (deri në 30 Nëntor) të gjithë qytetarët dhe prokurorët duhet të dorëzojnë formularët e vetëdeklarimit pranë ILDKP-së. Me pezullimin e ligjit nga Kushtetuta, pezullohen edhe efektet e tij. Partia Demokratike pretendoi antikushtetutshmërinë e ligjit me argumentin se procesin e Vettingut do ta bëjnë zyrtarë të lartë të PS, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve që do ta kryejnë atë. Nga ana tjetër, fati i ligjit të Vettingut dukej se ishte i pritshëm. Ligji prekte edhe gjyqtarët e Kushtetueses, çka nxiti debatin më herët se këta gjyqtarë janë në konflikt interesi dhe nuk përjashtohej rrëzimin i tij, siç edhe ndodhi realisht, me pezullimin e efekteve të tij. Sikurse nuk përjashtohet edhe një vendim i parlamentit për të shpallur moskompetencën e Kushtetueses për shqyrtimin e ligjit, për shkak të konfliktit të interesit.