Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD për heqjen e mandatit të deputetit Rakip Suli

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për t’i hequr mandatin deputetit të Partisë Socialiste Rakip Suli. PD e quajti të papajtueshëm mandatin e deputetit Suli me pretendimin se ka përfituar fonde publike. Por, Kushtetuesja rrëzoi këtë kërkesë.Arsyetimi i Kushtetueses: Gjykata vëren se në rastin konkret është kërkuar konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës, si dhe neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367/2005, për shkak se shoqëria ku është ortak shtetasi Saimir Suli (djali i madh i deputetit Rakip Suli), kuotat e të cilit më parë ishin në pronësi të këtij deputeti, ka përfituar të ardhura që burojnë nga fondet publike si pasojë e lidhjes së një kontrate qiraje me një shoqëri me kapital 100% shtetëror, siç është OSHEE­-ja. Sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj, kurse sipas nenit 21/1 të ligjit nr.9367/2005: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në kreun III, seksioni 2 të këtij ligji, gjyqtarët e prokurorët në nivelin e gjykatës së shkallës së parë e në atë të apelit, dhe asnjë shoqëri tregtare, ortakëri a shoqëri e thjeshtë, ku ky zyrtar zotëron, në mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik”. Sipas paragrafit 1 të nenit 24 të këtij ligji, persona të lidhur me zyrtarin konsiderohen edhe fëmijët në moshë madhore të tij, kurse sipas paragrafit 3 të po këtij neni ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, të përcaktuara në këtë seksion, zbatohen edhe për personat e lidhur me të. Bazuar në paragrafin 4 të nenit 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencën kushtetuese, Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkelje të paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë, sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre. Sipas subjektit të interesuar, 1/10­ës së deputetëve, çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë me mandatin e deputetit, Kushtetuta i ka parashikuar në kompetencat që i janë dhënë Gjykatës Kushtetuese sipas nenit 131/e të Kushtetutës. Gjykata e vlerëson këtë pretendim si të pambështetur. Pika 2 e nenit 70 të Kushtetutës përbën një rregullim specifik dhe bazuar në rregullin interpretues, sipas të cilit norma specifike ka përparësi mbi normën e përgjithshme, lex specialis derogat lex generalis (shih vendimin nr.2/2010 të Gjykatës Kushtetuese), kjo dispozitë ka përparësi mbi nenin 131/e, i cili përmban një rregullim të përgjithshëm ku listohen kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Në konkluzion, Gjykata vlerëson se konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese vetëm në rastet e parashikuara nga neni 70/3 i Kushtetutës, kurse për të gjitha rastet e tjera legjislatori ka parashikuar vetë Kuvendin si institucionin i cili vendos për heqjen ose jo të mandatit të deputetit. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet për vënien e saj në lëvizje në kuptim të përmbajtjes së nenit 70/4 të Kushtetutës dhe çështja në fjalë e paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë kërkesa duhet rrëzuar.

Artikulli paraprakSHQIPËRI-GREQI-TURQI NË HARMONI,BUSHATI I LUMTUR ME HOMOLOGËT
Artikulli tjetërTRAFIK DROGE DREJT ITALISË, KAPET SKAFISTI VLONJAT ME 761 KG KANABIS