Kushtetuesja rrëzon tarifat e reja për shoqëritë e karburanteve
Shoqata e Hidrokarbureve ka arritur të shfuqizojë tarifën e re të vendosur nga qeveria për lincensimin e veprimtarisë në sektorin e tregtisë së karburanteve. Pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikante ishte përcaktuar në masën 5 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës dhe 2 milionë lekë për bashkitë e tjera. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e qeverisë, duke vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e grupeve të interesit dhe duke shfuqizuar pikën 9 të kreut II të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licensave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”. Përfaqësuesja e Avokatit të Shtetit e ka justifikuar rritjen e taksës për licensim me synimin e vënies nën kontroll të tregut të shitjes së karburanteve. Por, kjo logjikë nuk është pranuar nga Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.