Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, është hapur rruga për formimin e institucioneve – konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nenit 66, pikës 1, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Kjo i bie se Kuvendi duhet të konstituohet deri më 8 gusht. Pas konstituimit të Kuvendit, në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, pikës 1, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
Sipas kësaj pike, mandatari për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, do të tentojë që herën e parë ta formojë qeverinë në bazë të votave të fituara në zgjedhje. Pika 2 e po të njëjtit nen thotë se kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
Sipas pikës 3 të nenit 95, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të deputetëve. Ndërsa, pika 4 e nenit 95 thotë se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.