Pas tri tentativave të Kryeparlamentarit të Kosoves. Kadri Veseli, që seanca e parë plenare për këtë vit të vijonte normalisht, pavarësisht kushteve, gazi lotsjellës i opozitës, tri herë rresht, e detyroi Kuvendin, të merrte pushim .
Seanca nisi me një fjalim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili dha arsyet sipas opozitës për rrëzimin e qeverisë Mustafa. Ymeri foli për mbështetjen që qytetarët e Kosovës po i japin opozitës. Pas tij fjalën e mori kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli. Teksa ai lexonte një deklaratë, opozitarët hodhën gaz lotsjellës, çka detyroi drejtuesin e seancës ta ndërpriste atë. Rreth 20 minuta më vonë seanca rifilloi në masa të larta sigurie, por në sallë u përsërit i njëjti skenar nga deputetët opozitarë. E njëjta gjë ndodhi edhe pas rifillimit të tretë. Sërish punimet janë ndërprerë, ndërkohë që liderët e partive opozitare shprehen të vendosur për të mos lejuar mbajtjen e seancës deri në shfuqizimin e 2 marrëveshjeve të Zajednicës dhe demarkacionit. Bëhet e ditur se forcat e sigurisë kanë nxjerrë me forcë nga mjediset e parlamentit 18 deputetë të VV të pezulluar nga seanca për shkak të veprimeve ditën e sotme..Në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se forcat e sigurisë, po i provokojnë qytetarët e mbledhur në Shesh, duke stimuluar dhunë. Përgjegjësinë për gjithçka mund të ndodhë, e mbajnë kreu i policisë dhe shefat e tij politik-shkruan Vetëvendosje. Në kundërpërgjigje, policia e Kosovës, në një njoftim për mediat, sqaron se veprimet policore në Kuvend, janë kryer për shkak të sjelljeve të deputetëve opozitarë, në kundërshtim me Rregulloren.