5- 6 dhe 7 marsi i 1998-s ngriti çështjen e Kosovës në krye të axhendës botërore kur familja e Komandantit Legjendar Adem Jashari u vra në shtëpinë e tyre në Prekaz nga forcat serbe. Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne në nder të sakrificës së familjes së legjendarit Jashari por edhe të gjithë të rënëve në luftë.
“Sërish vjen Marsi’ u këndua në kuvendin e Kosovës nga Ilir Shaqiri.
Dhe ‘Mora fjalë’ nga Shkurte Fejza….
T’i shërbejmë me devotshmëri vendit tha përballë familjarëve Jashari, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ashtu si të rënë për të.
“Tani më shumë se kurrë uniteti për çështjet e interesit kombëtar është i domosdoshëm sepse është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin tonë dhe për ta nderuar kujtimin e atyre që u sakrifikuan për Republikën tonë. Na takon neve ta shkruajmë kapitullin tonë të ri të historisë së shtetit tonë: atë të zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar”, tha Osmani.
“Liria ishte kushti i jetës, e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Nëse historia është përparimi i vetëdijes së popullit për liri, Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën mund t’i referohemi lirisë sonë”, tha Albin Kurti.
“Epopeja e UÇK-së” në datat 5-6-7 mars të çdo viti përkujtohet komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Në 30 dhjetor 1991 është kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, i dyti në janar 1998 ku fëmijët dhe gratë e familjes i kanë rezistuar betejës ndërsa në sulmin e tretë në për tre ditë të rrethuar në betejë heroike, 5-6-7 mars 1998 forcat serbe u morën jetën 55 anëtarëve të fisit Jashari në Prekaz, 22 prej të cilëve familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Sulmit i mbijetoi vetëm Bashkimi djali i Rifat Jasharit që arriti të dalë nga rrethimi në 6 mars si edhe Besarta vajza e Hamza Jasharit e cila më vonë ka rrëfyer ditë e betejës. Kjo epope shënon ditët e krenarisë kombëtare për Kosovën.