Pas 3 ditësh Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, ka miratuar me 68 vota pro ‘propozimin francez’. Jashtë Kuvendit qytetarët janë mbledhur sërish për të protestuar.

Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është duke përballur me ngërçin që ka krijuar miratimi i ‘propozimit francez’. Edhe një ditë më parë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk doli dot me një vendim, pasi opozita kundërshtoi ashpër propozimin francez. Një prej deputetëve opozitar e dogji dokumentin, ndërsa një tjetër e grisi atë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u largua nga salla e Kuvendit pasi nuk mundi të mbante dot fjalën e tij për shkak të se opozita nisi të reagonte me tone të ashpra. E pranishme në Kuvend ishte edhe presidentja Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e cila mbajti një fjalë dhe tha se nëse pranojnë propozimin francez konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet javën e ardhshme. Ndërsa i siguroi maqedonasit se gjuha e tyre do ruhet me ‘fanatizëm’.

Kujtojmë se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por opozita i ka dalë kundër duke zhvilluar në më shumë se dy jave protesta.

Cili është ‘Propozimi francez’?

Drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së “gjuhës maqedonase”. Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.

Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi “merr parasysh” synimet e të dyja palëve për të lëshuar “deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase”, me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018.

Artikulli paraprakGOMONIA DEL NGA UJI DHE PËRPLAS DY PUSHUES
Artikulli tjetërFESTIVALI I USHQIMIT DHE PIJEVE GJALLËRON QYTETIN