Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me votat e pozitës 5 anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke i dhënë fund ngërçit dy mujor të mosfunksionimit të këtij Këshillit për shkak të mungesës së kuorumit.
Pesë anëtarët e rinj të përzgjedhur janë Ridvan Bode, Artan Hoxha, Suela Popa, Luljeta Minxhozi, Edlira Luçi.
Nuk është votuar ende kandidatura e Arben Malajt, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisonin e Ekonomisë pak ditë më parë për shkak se ishte jashtë vendit dhe nuk ka prezantuar platformën, si rrjedhojë nuk mund të bëhet ende votimi në Kuvend.
Në total, Këshilli Mbikëqyrës ka nëntë anëtarë, shpjegon Monitor, por vetëm gjashtë prej tyre u kishte mbaruar mandati.
Tre anëtarët e tjerë janë Gent Sejko, që është aktualisht dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, që është zv/guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë dhe z.Tonin Kola.